​Haxhiu: Të gjithë personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës të aplikojnë për njohje të statusit të tyre

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje të gjithë personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit që të aplikojnë për njohje të statusit të tyre. Ajo gjatë vizitës në Shoqatën e Lidhjes dhe Invalidëve të Viktimave Civile në Kosovë, tha se do të takohet edhe me gratë e mbijetuara të…

Lajme

04/05/2026 15:46

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje të gjithë personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit që të aplikojnë për njohje të statusit të tyre.

Ajo gjatë vizitës në Shoqatën e Lidhjes dhe Invalidëve të Viktimave Civile në Kosovë, tha se do të takohet edhe me gratë e mbijetuara të dhunës seksuale për t’u njoftuar me zhvillimet, nevojat dhe sfidat që përballen ato.

“Gjatë atij takimi do të njoftoheni me sfidat që i kanë, qofshin shëndetësore apo sfidat që i kanë me aplikimin te Komisioni për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Më lejoni t’ju bëj thirrje të gjithë personave që kanë qenë të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit që të aplikojnë për njohje të statusit. Ju e dini se janë katër organizata të licencuara që merren me ndihmën e personave të mbijetuar të dhunës seksuale.”

Në anën tjetër, drejtori i kësaj shoqate, Mustafë Prengu, tha se në organizatën që ai drejton trajnohen mbi 900 gra, ndërsa mbi 400 raste janë të grave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës.

Ai paralajmëroi edhe një memorandum bashkëpunimi me presidencën për mbështetjen ndaj këtyre kategorive.

“Në këtë qendër i kemi mbi 900 gra që kryejnë trajnime dhe mbi 400 janë raste që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës së fundit. Jam shumë krenar që del dikush të na vizitojë dhe i din hallet dhe dertet e organizatave të dala nga lufta… Rastet e dhunës seksuale gjatë luftës kanë shumë probleme, kanë ankesa si në shëndetësi, familje e kudo. Ne biseduam me presidenten dhe do të bëjmë një memorandum për mbështetjen ndaj këtyre kategorive”, tha ai.

Pas këtij takimi, Haxhiu tha se do të takojë kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza.