Ambasadori serb në Zvicër kritikon Kurtin përmes deklaratave të Muhaxherit: Veprimet e tij si ato të Millosheviqit
Ivan Trifunoviq, i cili ka qenë aktiv si lobist i qeverisë serbe në SHBA dhe është emëruar ambasador i Serbisë në Bernë nga ministri i Jashtëm Marko Gjuriq, ka lavdëruar kryetarin e Pejës dhe anëtarin e Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri, pas deklaratave të këtij të fundit që krahasojnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me…
Lajme
Ivan Trifunoviq, i cili ka qenë aktiv si lobist i qeverisë serbe në SHBA dhe është emëruar ambasador i Serbisë në Bernë nga ministri i Jashtëm Marko Gjuriq, ka lavdëruar kryetarin e Pejës dhe anëtarin e Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri, pas deklaratave të këtij të fundit që krahasojnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me Sllobodan Millosheviqin.
Në një intervistë për portalin zviceran “20 Minuten”, Trifunoviq ka folur edhe për situatën në Kosovë, duke e cilësuar qeverinë e udhëhequr nga Kurti si “ekstremiste”. Si shembull, ai ka përmendur një deklaratë të Muhaxherit.
“Edhe vetë udhëheqësit e opozitës shqiptare thonë për Kurtin: ajo që ai po u bën serbëve është e papranueshme. Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, e ka krahasuar veprimin e Kurtit në komunat me shumicë serbe me veprimet e Millosheviqit në vitin 1989 ndaj Kosovës”, ka deklaruar Trifunoviq.
Trifunoviq, një biznesmen serb që ka emigruar në SHBA dhe ka vepruar si lobist në Washington, është emëruar ambasador në Bernë nga ministri i Jashtëm Marko Gjuriq. Ai ka pretenduar se qeveria e Kurtit synon largimin e serbëve nga Kosova, duke e krahasuar këtë me trajtimin e pakicës serbe në Kroaci.
Ambasadori serb në Bernë ka deklaruar gjithashtu se policia e Kosovës po hyn në shkolla dhe spitale të menaxhuara nga serbët, pretendim që, sipas raportimeve të deritanishme, nuk është i saktë. Ai ka përmendur edhe, sipas tij, “arrestime arbitrare” të serbëve në Kosovë, por pa përmendur sulmin e armatosur të vitit 2023 nga grupi i udhëhequr nga Millan Radoiçiq, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës.
Sipas Trifunoviqit, veprimet e qeverisë së Kosovës në veri janë “pikërisht ajo që Millosheviqi u bëri shqiptarëve”. Ai shtoi se një përfaqësues i qeverisë serbe është arrestuar pasi kishte deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizatë terroriste, duke e cilësuar këtë si shkelje të lirisë së shprehjes.
“A synojnë të arrestojnë çdo zyrtar apo diplomat serb që thotë se UÇK-ja ka qenë një organizatë terroriste – përfshirë edhe mua?”, ka pyetur ai.