Zhvillime dramatike për çështjen e Presidentit – Lumir Abdixhiku raportohet se ka zhvilluar takim “1 me 1” me Vjosa Osmanin sot pasdite

Skena politike është përfshirë nga lëvizje intensive rreth procesit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, ndërsa diskutimet për një marrëveshje të mundshme mes partive janë shtuar ndjeshëm. Në këtë kontekst, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, siç po raporohet në media, ka zhvilluar sot pasdite një takim me ish-presidenten Vjosa Osmani,…

Lajme

25/04/2026 18:42

Skena politike është përfshirë nga lëvizje intensive rreth procesit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, ndërsa diskutimet për një marrëveshje të mundshme mes partive janë shtuar ndjeshëm.

Në këtë kontekst, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, siç po raporohet në media, ka zhvilluar sot pasdite një takim me ish-presidenten Vjosa Osmani, i cili lidhet me zhvillimet e fundit dhe mundësitë për konsensus politik rreth kreut të shtetit.

Në këtë takim nga ana e partisë ka marrë pjesë vetëm Abdixhiku, duke e mbajtur bisedën në një format të kufizuar, thuhet në raportim të mediave.

Lajmi.net ka tentuar të marr një përgjigje zyrtare nga LDK, por deri në momentin e publikimi të këtij artikulli nuk është dhënë asnjë.

Takimi vjen në një moment kur janë intensifikuar përpjekjet për një marrëveshje mes subjekteve politike, pas iniciativave për harmonizimin e qëndrimeve rreth emrave të mundshëm për president.

Ndërkohë, gjatë ditës, Abdixhiku ka rritur presionin politik ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke i kërkuar qartësi për drejtimin e negociatave dhe për mënyrën se si po synohet zgjidhja e ngërçit institucional.

Në një reagim publik, ai i është drejtuar Kurtit me pyetje të drejtpërdrejtë mbi opsionet politike në tavolinë.

“I nderuar Kryeministër Kurti, Meqë po komunikojmë në distancë, Ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë. Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të,” ka deklaruar Abdixhiku.

Zhvillimet po ndodhin në një afat të ndjeshëm kohor, pasi Kuvendi i Kosovës ka obligim kushtetues që deri më 28 prill të zgjedhë presidentin e ri të vendit./lajmi.net/