Abrashi: VV-ja ka bërë propozime për presidentin, opozita po bllokon procesin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka deklaruar se partia e tij ka propozuar dy emra për president dhe ka zhvilluar takime me përfaqësues të opozitës, por sipas tij procesi po vazhdon të mbetet i bllokuar. Abrashi, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se situata aktuale politike tregon qartë, sipas tij, një krizë…
Lajme
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka deklaruar se partia e tij ka propozuar dy emra për president dhe ka zhvilluar takime me përfaqësues të opozitës, por sipas tij procesi po vazhdon të mbetet i bllokuar.
Abrashi, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se situata aktuale politike tregon qartë, sipas tij, një krizë të krijuar nga mungesa e bashkëpunimit mes partive, duke shtuar se vetëm Lëvizja Vetëvendosje po bën përpjekje serioze për tejkalimin e saj.
“Gjithmonë ne kemi emra, ne i kemi propozuar dy emra – por se po presim derisa të merr fund kjo bllokadë e opozitës dhe të vazhdojmë tutje. Nëse shikojmë në retrospektivë edhe i bëjmë një analizë objektive bazuar në atë që ka ndodhë realisht e shohim se vetëm Lëvizja Vetëvendosje është ajo që po bën përpjekje serioze për të tejkaluar këtë krizë realisht krejt rrethanat nëse merren parasysh e analizohen me kujdes i bie definicioni i krizës. Ne deri tash kemi propozuar, jemi takuar me akterët e opozitës, kemi kërkuar emra prej tyre e kemi propozuar emra nga ana jonë dhe nuk është se kemi parë ndonjë lëvizje. Në vazhdimësi shohim një përpjekje të partive opozitare më shumë me fitu narrativen në opinion publik se kush i ka fajet e të njëjtën akuzë pastaj po na e ‘gjuajnë’ neve”, u shpreh Abrashi.
Sipas Abrashit, procesi i zgjedhjes së presidentit nuk mund të trajtohet sikur të gjitha partitë kanë peshë të barabartë politike, pasi, siç tha ai, vota e qytetarëve ka përcaktuar një renditje të qartë të forcave politike.
Megjithatë, ai theksoi se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit u takon të gjithëve.Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të pranojë një kandidat konsensual, jo partiak dhe mbi partitë, por sipas tij ende nuk është arritur mirëkuptim me partitë e tjera në këtë drejtim.
“Kur diskutojmë për çështjen e presidentit dhe gjetjen e një zgjidhje nuk mund të sillemi sikur në Kosovë nuk ka një matje të forcave politike dhe se të gjitha subjektet kanë peshën e njëjtë. Ka dikush që është vlerësuar më shumë nga qytetarët e dikush më pak – por barra për zgjedhjen e presidentit është e të gjithëve. Por, ajo që në nuk mund të bëjmë është se si rezultat i rrethanave të krijuara si pasojë e mungesës së vullnetit për bashkëpunim të përcaktojmë një kandidat që fare nuk përfaqëson vullnetin politik të shprehur me votë nga qytetarët – deri tash kërkesën që e kemi bërë për zgjedhjen e çështje kanë qenë propozime kryesisht partiake e për parti nëse është kështu puna atëherë vetëm VV-ja e ka legjitimitetin që të propozojë një kandidat partiak. Në anën tjetër kemi shprehur se do të pranojmë çfarëdo emri konsensual – jo partiak dhe mbi partitë por deri tash nuk është se kemi gjetur mirëkuptim në këtë pikë”, tha Abrashi.
Mes tjerash, Abrashi u zotua se Vetëvendosje deri në minutat e fundit të ditës së martë nuk do të rresht përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së presidentit.