Ymeri: Importi i energjisë është rritur në mënyrë të paparashikueshme, kërkon hetim të plotë në sektor
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, e thirrur për diskutimin mbi çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët, deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka ngritur shqetësime për gjendjen në sektorin energjetik. Ajo ka deklaruar se importi i energjisë elektrike është rritur në mënyrë të papritur dhe të konsiderueshme, duke theksuar se qytetarët nuk kanë…
Lajme
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, e thirrur për diskutimin mbi çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët, deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka ngritur shqetësime për gjendjen në sektorin energjetik.
Ajo ka deklaruar se importi i energjisë elektrike është rritur në mënyrë të papritur dhe të konsiderueshme, duke theksuar se qytetarët nuk kanë arsye të përballen me rritje të çmimeve, raporton lajmi.net
“E para për energji, krejt çka dimë është se është rritur importi në përmasa të paparashikueshme më herët. Kjo ka ndodh edhe pse prodhimi ka rënë, por kohëve të fundit ka rënë edhe thëngjilli”, tha Ymeri.
“Është mirë me ju tregu që energjia elektrike këtë vit është shty, por nuk do të thotë se nuk do të rritet. Edhe këtë vit, edhe vitin e kaluar nuk kemi pasur asnjë lloj shkaku që në të paguajmë rritjen e energjisë elektrike, ka qenë keqmenaxhimit i komplet sektorit energjetik”, u shpreh deputetja.
Ajo gjithashtu ka kërkuar që të zhvillohet një hetim i thelluar për të zbardhur zhvillimet në sektorin e energjisë, duke theksuar se situata nuk mund të justifikohet me arsyetime të ndryshme institucionale.
“Ekonomia jonë nuk mund të drejtohet nga rrenat, broçkullat dhe lloj-lloj fjalie që del për me mbulu çka ka ndodh gjatë këtyre viteve, dhe kjo nuk mund të hetohet nga Zyra e Rregullatorit, pasi është palë e inkriminuar në këtë tollovi të energjisë elektrike”, tha ajo./Lajmi.net/