Kush është njeriu i VV-së që u emërua sot në krye të Bordit të Telekomit?

Qeveria e Kosovës, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku ka marrë një sërë vendimesh, e një ndër to ka qenë edhe për Telekomin. Në këtë mbledhje, Shaban Neziri është emëruar kryetar i Bordit të RTK-së, shkruan lajmi.net. “Për kryesues të këtij bordi propozohet Shaban Neziri”, tha shefi i qeverisë, Albin Kurti propozim ky që…

Lajme

20/04/2026 15:07

Qeveria e Kosovës, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku ka marrë një sërë vendimesh, e një ndër to ka qenë edhe për Telekomin.

Në këtë mbledhje, Shaban Neziri është emëruar kryetar i Bordit të RTK-së, shkruan lajmi.net.

“Për kryesues të këtij bordi propozohet Shaban Neziri”, tha shefi i qeverisë, Albin Kurti propozim ky që mori votat e kabinetit qeveritar.

Por, kush është Shaban Neziri?

Shaban Neziri i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje që nga 2018-ta, parti e cila aktualisht është në pushtet.

Për anëtarësimin e tij në parti, kishte njoftuar Valon Ramadani, e që bashkë me deputetin e asaj kohe të VV-së, Rexhep Selimin e kishin pritur në parti.

“Sot, në zyrat e Lëvizjes në Ferizaj, së bashku me deputetin Rexhep Selimi ia uruam mirëseardhjen në Lëvizjen VETËVENDOSJE! anëtarit më të ri, Shaban Nezirit. Shaban Neziri ka marrë pjesë si luftëtar në dy luftëra çlirimtare, atë të UÇK_së në Kosovë, dhe atë të UÇPMB-së në Luginë. Ai ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Eletroteknik, dega Energjetikë, dhe është inxhinier i elektroteknikës”, kishte shkruar më 25 shtator 2018 Valon Ramadani.

Në kohën kur e kishte prezantuar Ramadani Nezirin, ky i fundit punonte si menaxher i mirëmbajtjes së linjave në KOSTT e që më pas u ngrit në detyrë.

Gjatë udhëheqjes së partisë që iu ishte bashkuar, Shaban Neziri u emërua u.d kryeshef ekzekutiv në Bordin e drejtorëve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovë.

Ky vendim kishte ardhur më 24.04.2025, pas shkarkimit të kryeshefit Evetar Zeqiri në po të njëjtën ditë.

Kjo detyrë nuk ishte detyra e parë udhëheqëse e Nezirit gjatë pushtetit të VV-së. Më 10.08.2022, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kishte emëruar Nezirin në Bordin e ri të Ndërmarjes Publike Qendrore Hekurudhat e Kosovës – “Trainkos”.

Emërimi i personave që dikur kishin qenë pjesë apo vazhdojnë të jenë ende pjesë e VV-së gjatë qeverisjes së tyre ka ndodhur shpesh, e Shaban Neziri është një ndër ta. /Lajmi.net/