VV dështon t’i vendos në rend të ditës disa projektligje, opozita kërkon kohë shtesë për shqyrtim
Debatet mes grupeve parlamentare janë thelluar në Kuvendin e Kosovës lidhur me procedimin e disa projektligjeve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilat po kundërshtohen nga opozita me arsyetimin se nuk janë urgjente dhe kërkojnë shqyrtim më të gjerë. Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se kjo parti…
Lajme
Debatet mes grupeve parlamentare janë thelluar në Kuvendin e Kosovës lidhur me procedimin e disa projektligjeve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilat po kundërshtohen nga opozita me arsyetimin se nuk janë urgjente dhe kërkojnë shqyrtim më të gjerë.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se kjo parti nuk do t’i mbështesë nismat ligjore, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht.
“Kjo është një tendencë e qeverisë për fushatë zgjedhore, sepse nuk janë tema urgjente”, ka thënë Tahiri.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, shefja e grupit parlamentar Jehona Lushaku-Sadriu, ka theksuar se projektligjet kërkojnë kohë shtesë për shqyrtim, pasi sipas saj janë trajtuar vetëm së fundmi.
“Nuk do të përkrahen nga ne”, është shprehur ajo.
Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar mënyrën e zhvillimit të seancave dhe respektimin e procedurave parlamentare.
“A ka mundësi me ba një kërkesë që kur të na thërret në orën 10:00 me fillu seanca në orën 10:00… Me fillu me një orë vonesë nuk ka logjikë”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka shtuar se ndryshimet e papritura në rendin e ditës po krijojnë paqartësi në punën e Kuvendit dhe ka kërkuar respektim të marrëveshjeve procedurale.
Këto projektligje të përpopozuara nga VV për t’u bërë pjesë e rendit të ditës nuk morën votat e kërkuara./lajmi.net/