Në LDK s’dihet çfarë duan!- Në janar mohohej kategorikisht përkrahja për Osmanin, ndërsa në prill thonë se i kanë 15 votat për të

Shteti i Kosovës po vazhdon të jetë përballë një sfide tejet të madhe, atë të zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes për pesë vitet e ardhshme. Që nga 4 prilli kur ish-presidentja Vjosa Osmani e ka përfunduar mandatin, në krye të kësaj detyre është Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, shkruan lajmi.net. Më 4 mars,…

Lajme

09/04/2026 12:40

Shteti i Kosovës po vazhdon të jetë përballë një sfide tejet të madhe, atë të zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes për pesë vitet e ardhshme.

Që nga 4 prilli kur ish-presidentja Vjosa Osmani e ka përfunduar mandatin, në krye të kësaj detyre është Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, shkruan lajmi.net.

Më 4 mars, 30 ditë para se të përfundoj afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, partia në pushtet propozoi kandidatin për President Glauk Konjufcën, ndërsa si kundërkandidate Fatmire Mulhaxha Kollçakun, por jo edhe Vjosa Osmanin me të cilën bashkëqeverisën për pesë vite dhe garuan në një listë të vetme.

Konjufca e as Mulhaxha Kollçaku nuk i siguruan 80 votat e nevojshme, e biles as kuorumin, por nuk dihet nëse këto vota do t’i siguronte Vjosa Osmani nëse do të kandidohej.

A do të mbështetej apo jo Osmani nga deputetët e opozitës, e pikërisht nga ish-shtëpia e saj, LDK, kanë dal mendime të ndryshme brenda muajsh.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avvdullah Hoti që tani është deputet i LDK-së, e kishte mohuar kategorikisht në një intervistë të tij për T7, përkrahjen për Vjosa Osmanin.

Në këtë intervistë të tij të dhënë në janar, ai kishte thënë se historiku i pesë viteve të fundit nuk e lejon ta votoj atë.

“Jo. Jo sepse është historiku i pesë viteve të fundit që me ka dhënë të drejtë për atë qëndrim që kam pasë në vitin 2021. Nuk i kemi bërë shërbim të mirë vendit, por tani ajo është histori”, kishte thënë Hoti.

Por, krejt ndryshe nga ai ka deklaruar deputeti tjetër i i ri i LDK-së, Ermal Sadiku.

Ai tha se 15 votat e tyre për President do të shkonin vetëm për Vjosa Osmanin.

“Këto 15 vota i kemi pas veç për Vjosa Osmanin, nuk është paraqit si kandidatur. Ne nuk kemi mujt me e propozu sepse s’i kemi pas 30 nënshkrime”, ka thënë Sadiku.

Në mes të dy deputetëve të LDK-së, të cilët njoftimet dhe vendimet e partisë do të duhej t’i merrnin nga i njëjti këshill apo mbledhje e partisë, dalin të jenë plotësisht të ndryshme.

Vjosa Osmani është shkarkuar nga postet udhëheqëse në LDK në vitin 2020. Kryetari i LDK-së në atë kohë, Isa Mustafa kishte njoftuar se për shkarkimin e Osmanit nga posti i nënkryetares dhe anëtares së kryesisë, ku kanë votuar pro 70 anëtarë të Këshillit, 16 kanë qenë kundër dhe 28 nuk kanë marrë pjesë në votim, i cili është zhvilluar në mënyrë elektronike.

Mustafa ka njoftuar se Këshilli ka votuar që Avdullah Hoti të marrë postin e nënkryetarit të partisë.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së kishte marrë këtë vendim pas propozimit të liderit të kësaj partie, Isa Mustafa, sipas te cilit, Osmani ka shkelur statusin e partisë, kur është shprehur kundër qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Pas shkarkimit, në zgjedhjet e vitit 2021, Osmani i është bashkuar listës së Vetëvendosjes ku iu dha edhe numri 2 i kandidimit. Në ato zgjedhje ku mungonte figura e Albin Kurtit duke drejtuar listën e VV-së, ajo kishte dal më e votuara në zgjedhjet e Kosovës me plot 300 mijë e 788 vota, duke e lënë LDK-në me vetëm 12,73% të votave.

Pesë vite më pas, rikthimi i Osmanit në partinë nga ku e nisi karrierën e saj politike nuk shihet i pamundur. Kryetari aktual i kësaj partie kur është pyetur se a mund të kthehet ajo në LDK, ka thënë se dera në këtë parti është e hapur për të gjithë. Në lidhje me vazhdimin e rrugëtimit të saj politik, Osmani ka thënë pak ditë më parë se ia ka lënë në dorë qytetarëve të vendosin.

Por brenda LDK-së ka shumë mosdakordime, ku vetë deputetët dhe anëtarët e partisë po e kundërshtojnë njëri-tjetrin për shumë çështje./Lajmi.net/