A do t’i kthejë Gjermania rreth 800 mijë refugjatë sirianë – ky është propozimi i Kancelarit Merz
Kancelari Friedrich Merz deklaroi pas takimit me Presidentin sirian Ahmed al-Sharaa se “në perspektivën e tri viteve të ardhshme rreth 80% e sirianëve që qëndrojnë aktualisht në Gjermani duhet të kthehen në atdheun e tyre”. Ai u shpreh pra pro përshpejtimit të riatdhesimit të mbi 950.000 sirianëve, që kanë ardhur kryesisht me krizën e refugjatëve…
Bota
Kancelari Friedrich Merz deklaroi pas takimit me Presidentin sirian Ahmed al-Sharaa se “në perspektivën e tri viteve të ardhshme rreth 80% e sirianëve që qëndrojnë aktualisht në Gjermani duhet të kthehen në atdheun e tyre”. Ai u shpreh pra pro përshpejtimit të riatdhesimit të mbi 950.000 sirianëve, që kanë ardhur kryesisht me krizën e refugjatëve 2015-2016.
Përparësi kanë personat pa leje qëndrimi të vlefshme dhe “grupi problematik i sirianëve me rekorde kriminale”. Gjermania do të investojë këtë vit mbi 200 milionë euro për rindërtimin e Sirisë. Por të martën, Merz-i e sqaroi deklaratën e kthimit të 80% të sirianëve. Tha se shifra e kishte burimin tek Presidenti sirian.
A realizohet dot, nga ana ligjore dhe praktike, riatdhesimi i kaq shumë njerëzve brenda pak kohe? Për tre vjet, çdo ditë do të duhej të ktheheshin 730 vetë. 250.000 sirianë kanë tani nënshtetësi gjermane, 70.000 me leje qëndrimi të pakufizuar. Vullnetarisht, për 1 vit, megjithë financimin nga Gjermania, janë kthyer rreth 3.600 sirianë.
Al-Sharaaja shprehu “mirënjohje të thellë” ndaj “qeverisë gjermane e popullit gjerman, që u hapën dyert më shumë se një milion sirianëve, që u mundësuan atyre këtu siguri – dhe që të rindërtojnë, jetët e tyre të shkatërruara”. Ai shprehu shpresën që kompanitë gjermane të sjellin ekspertizë në Siri. Kërkoi investime e partneritet.
Reagimet për deklaratën e kthimit, qenë të përziera: SPD paralajmëroi se pritshmëritë e kthimit nuk përmbushen, E Majta, parti e ekstremit të majtë, tha se kjo “ushqen fantazitë e AfD-së për deportim masiv”, ndërsa AfD-ja, partia populiste e djathtë e kritikoi shifrën si “të vonuar”.
Përfaqësues të komunitetit mjekësor gjerman paralajmëruan mungesa në kujdesin shëndetësor: sirianët janë grupi më i madh i mjekëve të huaj në spitalet gjermane: me mbi 5.700 mjekë.
Avokatia siriane Nahla Osman i tha DW se deklarata ngjall dëshpërim dhe zemërim, dhe duket “më shumë si sinjal politik i brendshëm, në kontekstin e rritjes së AfD-së, sesa strategji e zbatueshme”. /DW Shqip