Kurti përkujton Masakrën e Rezallës: U bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të kërkojnë nga Serbia zbardhjet e fatit të të zhdukurve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar Masakrën e rezallës, ku më 5 prill 1999 janë vrarë 98 burra dhe djem. Ai ka thënë se dëshmitë e gjenocidit të Serbisë janë të freskëta në të gjithë Kosovën, shkruan lajmi.net. “Pas ekzekutimit mizor, në përpjekje për të fshehur krimin, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen…

Lajme

05/04/2026 17:03

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar Masakrën e rezallës, ku më 5 prill 1999 janë vrarë 98 burra dhe djem.

Ai ka thënë se dëshmitë e gjenocidit të Serbisë janë të freskëta në të gjithë Kosovën, shkruan lajmi.net.

“Pas ekzekutimit mizor, në përpjekje për të fshehur krimin, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat. 29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku, në vitin 2021 u kthyen në tokën e Kosovës eshtrat e shtatë prej të vrarëve, mes tyre edhe raste të ribashkimit të eshtrave të zhvarrosura vite më parë në Rudnicë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se Serbia ende fle mbi varreza masive nga gjenocidi i kryer në Kosovë.

” Mbi 950 civilë të paarmatosur u masakruan në Kosovë, ua rrëmbyen kufomat dhe i futën në varreza masive në Serbi, përfshirë këtu kamionë frigoriferë që dolën nga fundi i liqeneve atje. Ende Serbia i mbanë të fshehura informacionet për vendndodhjen e të paktën 11 varrezave masive brenda territorit të saj”, ka shkruar i pari i Qeverisë së Kosovës.

Ai i ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të kërkojnë nga Serbia që të zbardhet plotësisht fati i të zhdukurve.

“Institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës duhet të veprojnë pa vonesë, që urdhërdhënësit dhe ekzekutorët të dalin para drejtësisë. Nuk mund të lejojmë që harresa të mbulojë mizoritë e luftës në Kosovë, siç nuk mund të mbulojë dheu i varrezave masive të vërtetën për krimet e kryera nga Serbia. Duke nderuar të kaluarën dhe duke kërkuar drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë, ku brezat e rinj rriten të lirë dhe të sigurt. Në këtë datë që është dëshmi e dhimbjes dhe qëndresës së popullit tonë, nderojmë të vrarët në Rezallë. I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve dhe dëshmorëve të kombit”, ka shtuar ndër të tjera Kurti. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: