Pesë vjet presidente, Osmani: Dëshmuam se edhe një shtet i vogël mund të ketë zë të madh
Vjosa Osmani në adresimin përmbyllës të mandatit të saj pesëvjeçar në krye të shtetit tha se ndihet krenare që institucionin që e drejtoi po e lë si më të respektuarin në botë. Gjatë këtij adresimi, ajo theksoi gjithashtu se atë po e lë me dyer të hapura. “Jam thellësisht krenare që këtë institucion po e…
Lajme
Vjosa Osmani në adresimin përmbyllës të mandatit të saj pesëvjeçar në krye të shtetit tha se ndihet krenare që institucionin që e drejtoi po e lë si më të respektuarin në botë.
Gjatë këtij adresimi, ajo theksoi gjithashtu se atë po e lë me dyer të hapura.
“Jam thellësisht krenare që këtë institucion po e lëmë më të respektuar në botë, me dyer të hapura dhe me aleanca të forcuara”.
Ajo veçoi si arritje kyçe sigurimin e njohjeve të reja ndërkombëtare dhe liberalizimin e vizave me Bashkimi Evropian, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për qytetarët e vendit.
“Duke i sjellë Kosovës njohje të reja; duke arritur liberalizimin e vizave me BE-në e me shumë shtete të tjera; duke bërë hapa konkretë drejt integrimit të vendit në BE dhe në Këshillin e Evropës; e po ashtu hapa konkret drejt të ardhmes në NATO, duke siguruar garanca të fuqishme për paprekshmërinë e kufijve tanë; duke ndërtuar partneritete për fuqizimin e ushtrisë sonë; duke e bërë Kosovën pjesë të platformave ku nuk ka pasur qasje më herët, si me pjesëmarrjen historike në Samitin e NATO-s, duke e bërë anëtare themeluese në Bordin e Paqes; duke e kthyer Kosovën në qendër të agjendave globale: nga Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. deri te mbrojtja e fëmijëve në botën digjitale”
“ Duke i përparuar ndjeshëm raportet me vendet e tjera, deri dje hezituese për të krijuar raporte me vendin tonë; duke hapur perspektiva të reja marrëdhëniesh politike me shumë vende të tjera gjithandej rruzullit tokësor, në këto 5 vjet kemi dëshmuar se edhe një shtet i vogël mund të ketë zë të madh”.
“Sepse ky ishte vizioni ynë që në ditën e parë kur u betova në Kuvend por mbi të gjitha kur u betova para jush: që Kosova të mos jetë vetëm pjesë e tavolinave ndërkombëtare, por edhe kontribuuese aktive në to”.