Matoshi kritikon mandatin 5-vjeçar të presidentes Osmani: Nga afërsia me Kurtin te kontestimet kushtetuese

Analisti politik Halil Matoshi ka bërë një vlerësim kritik për punën pesëvjeçare të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke ngritur një sërë çështjesh që lidhen me rolin e saj politik dhe institucional. Duke folur për fillimet e saj në këtë mandat dhe raportin me kryeministrin Albin Kurti, Matoshi ka përshkruar një lëvizje nga afërsia e…

Lajme

04/04/2026 14:21

Analisti politik Halil Matoshi ka bërë një vlerësim kritik për punën pesëvjeçare të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke ngritur një sërë çështjesh që lidhen me rolin e saj politik dhe institucional.

Duke folur për fillimet e saj në këtë mandat dhe raportin me kryeministrin Albin Kurti, Matoshi ka përshkruar një lëvizje nga afërsia e theksuar politike në tensione dhe rikthime të mëvonshme.

Sipas tij, Osmani fillimisht ka qenë e lidhur ngushtë me Kurtin dhe e angazhuar në ndërtimin e një narrative të caktuar politike, për të kaluar më pas në përplasje, e më pas sërish në afrime.

 

“Fillimisht e fascionuar me Albin Kurtin dhe ndihmësoficere e Dejona Mihalit për ta krijuar narrativen anti-UÇK (është ngritur me fjalorin agresiv kundër Hashim Thaçit), pastaj kur Kurtin e qortonin amerikanët dhe në panik e sipër i tha se ‘po luante bixhoz me aleatët’. Pastaj u rikthy prapë dhe mund ta citoni kur me gojën e vet e tha se ‘Albinit ia dhash datën 28 dhjetor për zgjedhje’”, ka deklaruar Matoshi.

Sa i përket arritjeve, ai ka vlerësuar se politika e jashtme përbën një nga aspektet më pozitive të mandatit të Osmanit. Sipas tij, raportet me shtete si Zvicra dhe Sllovenia, si dhe kontaktet me liderë ndërkombëtarë, kanë qenë ndër pikat më të forta të saj.

“Raportet e saj me disa shtete europiane si bie fjala Zvicra apo Sllovenia ose me shefin e NATO-s Mark Rutte dhe posaçërisht pjesëmarrja në Bordin e Paqes dhe afërsia me Presidentin amerikan Donald Trump, janë pikat më të ndritshme të diplomacisë së Zonjës Osmani”, është shprehur ai për FrontOnline .

Megjithatë, kritikat kryesore të Matoshit lidhen me zhvillimet në politikën e brendshme dhe mënyrën e ushtrimit të rolit presidencial. Ai e akuzon Osmanin për tejkalim të kompetencave dhe për veprime që, sipas tij, kanë ndikuar negativisht në funksionimin demokratik të institucioneve.

“Ajo në politikat e brendshme e pati zëvendësu Kushtetutën me programin e Lëvizjes Vetëvendosje, i ka dhënë shtetësinë Dejona Mihalit, pa procedura të rregullta ligjore dhe ka qenë polarizuese e shoqërisë; Presidentja nuk e ka përfaqësu me asgjë unitetin e popullit, nuk e ka garantu funksionimin demokratik të institucioneve dhe nuk ja tregu asnjë ditë as nuk po dëshmon vetëpërmbajtje institucionale”, ka theksuar ai.

 

Në fund, Matoshi ka përmendur edhe çështje që lidhen me Gjykatën Kushtetuese dhe vendime të kontestuara juridikisht, duke i cilësuar ato si problematike për rendin kushtetues.

“Presidentja ka bërë një seri skandalesh kushtetuese e protokolare, deri edhe tendencë për bllokimin e punës së Gjykatës Kushtetuese (kujto rastin Laban, që dikur për Presidenten paraqiste rrezik për sigurinë e vendit, ndërsa tash u hesht sikur të ishte patrioti më i madh kushtetues!?); deri te Dekreti i saj ‘pa asnjë pasojë juridike’!?”, ka deklaruar Matoshi