GLPS: Vendimi për rishpalljen e konkursit për Sekretar të Përgjithshëm të Kuvendit përbën shkelje ligjore

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me vendimin e datës 30 mars 2026 të marrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për rishpalljen e konkursit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, duke e cilësuar atë si të paligjshëm dhe në kundërshtim me parimet e shërbimit civil. Sipas GLPS,…

Lajme

02/04/2026 10:11

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me vendimin e datës 30 mars 2026 të marrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për rishpalljen e konkursit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, duke e cilësuar atë si të paligjshëm dhe në kundërshtim me parimet e shërbimit civil.

Sipas GLPS, ky reagim vjen pas një qëndrimi të mëhershëm të datës 5 mars, kur organizata kishte njoftuar Kuvendin se procesi i rekrutimit ishte monitoruar në të gjitha fazat dhe nuk ishin evidentuar shkelje që do të cenonin ligjshmërinë apo meritokracinë.

Në reagimin e tyre, GLPS thekson se vendimi i Kryesisë shoqërohet me një sërë shkeljesh ligjore. Mes tyre përmenden dështimi për të përzgjedhur njërin nga kandidatët e ligjshëm, anashkalimi i një procesi të rregullt përmes votimit – ndonëse legjislacioni nuk parashikon mundësinë që asnjëri kandidat të mos emërohet – si dhe rishpallja e konkursit pa përfunduar procedura ekzistuese.

Organizata vlerëson se anulimi i procesit vetëm për shkak të mungesës së votave, pa identifikuar ndonjë shkelje ligjore, përbën precedent të rrezikshëm. Sipas GLPS, një praktikë e tillë minon drejtpërdrejt parimet themelore të shërbimit civil, përfshirë meritokracinë, profesionalizmin, depolitizimin dhe mosdiskriminimin.

Më tej, në reagim thuhet se ky veprim cenon të drejtat dhe pritshmëritë e ligjshme të kandidatëve dhe rrezikon të dekurajojë aplikimet për pozita të tilla në të ardhmen.

GLPS gjithashtu thekson se roli i Kryesisë së Kuvendit është mbikëqyrës dhe i përcaktuar qartë nga legjislacioni për zyrtarët publik, dhe jo një rol politik me diskrecion për të bllokuar procese të ligjshme rekrutimi.

Në përfundim, organizata i bën thirrje Kryesisë që të rishqyrtojë vendimin dhe të veprojë në përputhje me ligjin, duke përmbyllur procesin përmes emërimit të njërit prej kandidatëve fitues. Sipas GLPS, çdo veprim tjetër përbën shkelje të rendit juridik dhe të parimeve të pranimit në shërbimin civil.