23 milionë euro ‘rritje’, 126 milionë euro humbje – Kryetari i AKK-së shpjegon situatën financiare të komunave
Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), edhe pse buxheti i komunave është rritur nominalisht në vitin 2025, kjo rritje nuk ka sjellë përfitime reale për zhvillimin lokal. Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se bazuar në të dhënat e Raportit të MAPL-së për funksionimin e komunave, buxheti i komunave është rritur…
Lajme
Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), edhe pse buxheti i komunave është rritur nominalisht në vitin 2025, kjo rritje nuk ka sjellë përfitime reale për zhvillimin lokal.
Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka bërë të ditur se bazuar në të dhënat e Raportit të MAPL-së për funksionimin e komunave, buxheti i komunave është rritur nga 841 milionë euro në 2024 në 864 milionë euro në 2025, një rritje prej rreth 23 milionë euro.
Megjithatë, pjesa më e madhe e kësaj rritjeje që është mbi 15 milionë euro, është shpenzuar për paga dhe mëditje, si rezultat i vendimeve qendrore për sektorin publik, ndërsa vetëm rreth 7.8 milionë euro kanë mbetur për investime, mallra, shërbime dhe projekte zhvillimore.
“Kjo tregon qartë se hapësira për projekte zhvillimore është shumë e kufizuar, edhe pse komunat po tregojnë përpjekje për të rritur të hyrat vetanake”, ka theksuar Ibrahim.
Ai ka vënë në dukje gjithashtu se komunave u janë marrë mbi 126 milionë euro gjatë vitit të kaluar për shkak të vendimeve gjyqësore, kryesisht të lidhura me obligimet nga kontratat kolektive të sektorit arsimor dhe shëndetësor. Rreth 27% e këtyre mjeteve janë shpenzuar për kosto procedurale, përmbarues dhe avokatë, pa u përfshirë drejtpërdrejt tek përfituesit.
“Krahasimi është i qartë: ndërkohë që buxheti është rritur për 23 milionë euro, komunat kanë humbur mbi 126 milionë euro, dhe pjesa më e madhe e rritjes nominale është konsumuar për paga dhe mëditje. Kjo nuk përbën mbështetje reale për komunat, por pasqyron një sistem ku rritja nominale neutralizohet nga vendimet qendrore dhe detyrimet e trashëguara”, ka shtuar Ibrahim.
Sipas kryetarit të AKK-së, komunat kanë nevojë për mbështetje reale që përkthehet në investime kapitale, zhvillim lokal dhe shërbime më të mira për qytetarët, dhe jo për rritje formale në letër.