GAP: Rritja e pagave nuk solli përmirësim të dukshëm në punën e kuvendeve komunale

Rritja e pagave për asambleistët komunalë, e cila hyri në fuqi me zbatimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik nga viti 2023, nuk ka sjellë përmirësim të ndjeshëm në dinamikën e punës së kuvendeve komunale. Ky është përfundimi kryesor i analizës së publikuar sot nga Instituti GAP, me titull “A ndikoi rritja e pagave…

Lajme

01/04/2026 13:54

Rritja e pagave për asambleistët komunalë, e cila hyri në fuqi me zbatimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik nga viti 2023, nuk ka sjellë përmirësim të ndjeshëm në dinamikën e punës së kuvendeve komunale.

Ky është përfundimi kryesor i analizës së publikuar sot nga Instituti GAP, me titull “A ndikoi rritja e pagave në përmirësimin e dinamikës së punës të Kuvendeve Komunale?”.

Sipas raportit, reforma e pagave ka ndryshuar dukshëm mënyrën e kompensimit financiar në pushtetin lokal. Para hyrjes në fuqi të ligjit, asambleistët komunalë kompensoheshin me 150 euro pagë bazë dhe 50 euro për çdo seancë të mbajtur, pa dallim mes komunave. Ndërkaq, pas vitit 2023, pagat janë rritur ndjeshëm dhe janë diferencuar sipas madhësisë së komunës.

Prishtinë, për shembull, koeficienti 6 përkthehet në një pagë mujore prej rreth 660 euro, ndërsa në komunat e tjera koeficientët variojnë nga 5.3 deri në 5.9, duke bërë që paga më e ulët për një asambleist të arrijë në rreth 583 euro.

Raporti thekson se pritshmëritë për rritje të motivimit si rezultat i rritjes së pagave kanë qenë të arsyeshme, duke pasur parasysh se kompensimi financiar konsiderohet një faktor kyç në performancën e punës. Deri në fund të vitit 2022, kompensimi relativisht i ulët shpesh i kishte detyruar të zgjedhurit lokalë të mbajnë angazhime të tjera për të siguruar të ardhura shtesë.

Megjithatë, të dhënat e analizuara tregojnë se kjo rritje nuk është reflektuar në përmirësim të performancës. Në disa indikatorë vërehet vetëm një rritje minimale, ndërsa në shumicën e rasteve evidentohet rënie.

Numri i mbledhjeve të kuvendeve komunale në shtatë komuna ishte 81 në vitin 2022, u rrit në 91 në vitin 2023, por ra në 85 në vitin 2024. Një trend i ngjashëm vërehet edhe te kohëzgjatja e mbledhjeve: nga 285 orë në vitin 2022, në rreth 286 orë në vitin 2023, për të rënë në 271 orë në vitin 2024.

Edhe produktiviteti normativ nuk shënon përmirësim. Në vitin 2022 janë miratuar 26 rregullore dhe 540 vendime, ndërsa në vitin 2023 janë miratuar 35 rregullore dhe 477 vendime. Në vitin 2024, numri bie ndjeshëm në vetëm 10 rregullore dhe 442 vendime.

Autorët e raportit theksojnë se këta indikatorë janë kryesisht sasiorë dhe nuk matin drejtpërdrejt cilësinë e debatit apo ndikimin e vendimeve. Megjithatë, si tregues krahasues ndër vite, ata ofrojnë një pasqyrë të rëndësishme mbi ritmin dhe intensitetin e punës së kuvendeve komunale, sidomos në raport me ndryshimet në kompensimin financiar.