​SHBA do të largohet nga Irani brenda “dy deri në tre javë”

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të “largohen” nga Irani brenda “dy deri në tre javë”, pasi të sigurohen se vendi nuk mund të zhvillojë armë bërthamore për vite me radhë. Ai shtoi se fakti nëse Irani arrin apo jo një marrëveshje është “i parëndësishëm” për afatin e Uashingtonit.…

Bota

01/04/2026 10:52

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të “largohen” nga Irani brenda “dy deri në tre javë”, pasi të sigurohen se vendi nuk mund të zhvillojë armë bërthamore për vite me radhë.

Ai shtoi se fakti nëse Irani arrin apo jo një marrëveshje është “i parëndësishëm” për afatin e Uashingtonit. Deklaratat e tij u bënë nga Zyra Ovale, para një fjalimi kombëtar për Iranin që pritet ta mbajë të mërkurën në mbrëmje sipas kohës lokale të Uashingtonit.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka thënë se Irani ka “vullnetin e nevojshëm” për t’i dhënë fund luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, nëse plotësohen disa kushte të caktuara. Ndërkohë, Ebrahim Azizi, kreu i Komitetit të Sigurisë Kombëtare në Parlamentin iranian, paralajmëroi në një postim në X se Ngushtica e Hormuzit “do të rihapet patjetër, por jo për ju”, duke iu referuar kërcënimeve për bllokimin e një prej rrugëve më të rëndësishme detare në botë.

Përplasjet mes Izraelit dhe Iranit kanë vazhduar gjatë natës, me raportime për të plagosur pas një sulmi pranë Tel Avivit, sipas BBC, transmeton KosovaPress. Po ashtu, një tanker u godit nga dy predha pranë bregdetit të Katarit, ndërsa një person është vrarë në Emiratet e Bashkuara Arabe, teksa tensionet në Gjirin Persik po vazhdojnë të rriten.

Në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Keir Starmer pritet të mbajë një konferencë për media mbi konfliktin, duke u fokusuar në reagimin e qeverisë ndaj rritjes së kostove ekonomike të shkaktuara nga situata.