Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për dy persona të dyshuar për fajde dhe detyrim

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se i ka paraqitur kërkesë Gjykata Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të pandehurve me inicialet E.K. dhe A.K., të cilët aktualisht ndodhen në ndalim prej 48 orësh. Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, sipas…

Lajme

12/03/2026 17:44

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se i ka paraqitur kërkesë Gjykata Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të pandehurve me inicialet E.K. dhe A.K., të cilët aktualisht ndodhen në ndalim prej 48 orësh.

Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas prokurorisë, nga viti 2021 e në vazhdimësi i dyshuari E.K., duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., i ka dhënë këtij të fundit shuma të ndryshme parash, duke kontraktuar përfitime dukshëm jo proporcionale. Si rezultat i kësaj skeme fajdeje, vetëm në emër të kamatave nga viktima B.Ç. ai dyshohet se ka përfituar mbi 400 mijë euro.

Në pamundësi për të shlyer borxhin, në këtë rast përfshihet edhe viktima e dytë B.B., i cili merr para nga të dyshuarit për ta ndihmuar viktimën e parë. Sipas hetimeve, për shkak të grumbullimit të kamatave, të pandehurit dyshohet se nga viktimat kanë kërkuar shumën prej 550 mijë eurosh, raporton lajmi.net

Për të siguruar këtë shumë, ata dyshohet se i kanë kërkuar viktimës B.Ç. që në emër të kamatave t’u kalojë në pronësi dy lokale afariste dhe një shtëpi, me vlerë të përgjithshme rreth një milion euro.

Prokuroria bën të ditur se të dyshuarit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë përdorur edhe dhunë fizike dhe kanosje ndaj viktimave. Më 11 mars 2026, viktima B.Ç. së bashku me nënën e tij janë detyruar të shkojnë fillimisht në zyrën e një përmbaruesi privat dhe më pas të vazhdojnë procedurat noteriale për kalimin e pronës.

Megjithatë, në kuadër të masave të veçanta hetimore, policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar të dyshuarit.

Gjatë aksionit dhe veprimeve hetimore, prokuroria ka sekuestruar pasuri të ndryshme, para të gatshme, pajisje elektronike, kontrata, akte noteriale dhe prova të tjera materiale që lidhen me veprat penale të dyshuara.

Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, mbrojtjen e viktimave të veprave penale dhe forcimin e sundimit të ligjit, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të vënë para drejtësisë personat që bien ndesh me ligjin./Lajmi.net/