Osmani kërkoi një gur minerar të “Trepçës” për t’ia dhuruar presidentit Trump, Qeveria e Kurtit nuk ia dha – presidentja shkoi “duarthatë” në Bordin e Paqes
Në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka ndodhur një ngjarje e pazakontë në mes dy institucioneve të larta shtetërore. Presidenca dhe Qeveria nuk kanë mundur të pajtohen rreth dhurimit të një guri të “Trepçës” për presidentin Donald Trump. Ministria e Ekonomisë ka refuzuar të ia jep Presidencës një gur minerar të ndërmarrjes “Trepça”,…
Lajme
Në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka ndodhur një ngjarje e pazakontë në mes dy institucioneve të larta shtetërore. Presidenca dhe Qeveria nuk kanë mundur të pajtohen rreth dhurimit të një guri të “Trepçës” për presidentin Donald Trump.
Ministria e Ekonomisë ka refuzuar të ia jep Presidencës një gur minerar të ndërmarrjes “Trepça”, të cilin presidentja Vjosa Osmani kishte planifikuar të i dhuronte presidentit të ShBA-së, Donald Trump, në ceremoninë e inaugurimit të “Bordit të Paqes”.
Nga burimet e ministrisë së Artane Rizvanolli, mediumi nacionale ka siguruar korrespodencën në mes të këtyre dy institucioneve për këtë çështje.
Duke tentuar të kopjonte ish-presidentin Ibrahim Rugova me dhënën e gurëve të “Trepçës” për miqtë e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani kishte planifikuar që me një “dhuratë” të tillë ta nderonte edhe presidentin e ShBA-së, Donald Trump. Megjithatë, refuzimi që mori nga Qeveria Kurt ajo u detyruar që shefit të Shtëpisë së Bardhë t`i shkonte duarthatë.
Më 17 shkurt, në ditë para se presidentja Osmani të niset për më Uashington, Presidenca i kishte shkruar Muzeut të Kosovës për mundësinë e dhurimit të një guri të “Trepçës”.
Për dhurimin e një guri të tillë, muzeu kishte kërkuar aprovimin e Ministrisë së Ekonomisë.
Më pas, Presidenca iu kishte drejtuar Ministrisë së Artane Rizvanollit.
Në kërkesën e Presidencës, tregohen arsyet se pse po kërkohet dhurimi i këtij guri.
“Në funksion të realizimit të nevojave shtetërore dhe duke u bazuar në interesin publik, ju drejtohemi me këtë kërkesë për të shqyrtuar mundësinë e dhënies në pronësi të një guri minerar nga Ndërmarrja “Trepça”, për qëllime shtetërore(te bashkangjitur keni ne fotografi). Ky gur minerar do të shërbej ekskluzivisht për përmbushjen e nevojave protokollare. Duke ju falënderuar paraprakisht për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, mbetemi në pritje të përgjigjes suaj”, është thënë në kërkesën e Presidencës për Ministrinë e Ekonomisë.
Fotografi e gurit që e ka kërkuar Presidenca:

Arsyet e Presidencës nuk e kishin bindur Ministrin e Ekonomisë për dhënien e një guri të tillë.
Pas pak kohe, Drejtor i Departamentit të Minierave, Skender Sallahi, i ishte përgjigjur Presidencës, duke thënë se nuk mund të realizohet kërkesa e tyre.
Aty tregohet pse nuk mund të pranohet kërkesa e shefes së shtetit.
“Te nderuar bazuar ne kohën e shkurtër për te ndërmarr hapat ligjor për realizimin e kësaj çështje ju kërkojmë mirëkuptim për pamundësinë e realizimit të kësaj kërkese. Duke ju kërkuar mirëkuptim ju shpreh gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen”, është thënë në përgjigjen.
Refuzimi i kësaj kërkese duket se ka reflektuar raportet e ftohta të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Ftohja e këtyre raporteve kulmoi javën e kaluar, kur Lëvizja Vetëvendosje nuk e kishte propozuar Vjosa Osmanin për presidente. Kjo e fundit, para disa dite, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti.