Gjyqtari Gosnell njofton për afatet në gjyqin ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të fundit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Hetuesi i forenzikës digjitale, Christopher Kelly e ka nisur dëshminë e tij gjatë ditës së djeshme. Pas kundërpyetjeve të mbrojtjes, palët kanë diskutuar për planifikimin e afateve dhe hapat e mëtejshëm në gjyqin ndaj…
Lajme
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të fundit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Hetuesi i forenzikës digjitale, Christopher Kelly e ka nisur dëshminë e tij gjatë ditës së djeshme. Pas kundërpyetjeve të mbrojtjes, palët kanë diskutuar për planifikimin e afateve dhe hapat e mëtejshëm në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengim të drejtësisë.
Gjyqtari i vetëm në këtë çështje gjyqësore, Christoph Gosnell përmes urdhrit gojor ka caktuar disa afate që lidhen me periudhën para fillimit të provave të mbrojtjes.
“Mbrojtësja e pavarur do të dorëzojë raportin e fundit deri më 13 mars 2026. ZPS-ja duhet të përgjigjet ose më saktë të dorëzojë çdo mocion që lidhet me çështje që janë ngritur në atë raport si dhe njoftimin sipas rregullës 129 deri më 18 mars 2026. Mbrojtja duhet të dorëzojë parashtrimet sipas rregullës 130 brenda 19 marsit 2026. Çdo mocion tjetër në mbështetje të kësaj kërkese apo parashtrime në mbështetje të kësaj kërkese duhet të dorëzohen brenda 25 marsit 2026. Përgjigjet duhet të dorëzohen brenda 1 prillit 2026. Me kaq mbyll urdhrin e parë gojor”, ka njoftuar gjyqtari Gosnell.
Ekipet mbrojtëse i kanë thënë gjykatësit se edhe ata do të paraqesin provat e tyre, për cka Gosnell ka pyetur nëse tri javë do të ishin mjaftueshme për të përfunduar me të gjithë dëshmitarët e mbrojtjes.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se seanca e paraparë për ditën e nesërme është anuluar dhe që gjykimi shtyhet deri në njoftim tjetër.
Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.
Prokuroria pretendon se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.
Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.
Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte.
Ish-presidenti, Hashim Thaçi akuzohet edhe për krime të pretenduara të luftës, bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
Fjalët përfundimtare për këtë rast janë thënë gjatë muajit shkurt.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin nga katërshen e UÇK-së. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ku edhe mbrojtja ka thënë se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së.
Tashmë çështja i ka kaluar trupit gjykues, i cili ka tre muaj kohë për të marrë vendimin final dhe nëse ka nevojë do të kërkojë edhe kohë shtesë. Kjo pritet të ndodhë për shkak të dosjes voluminoze.
Deklarimet përmbyllëse kanë nisur me datën 9 shkurt dhe kanë përfunduar me 18 shkurt.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë./kp