GLPS paralajmëron: Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit duhet të emërohet nga konkursi, jo të mbetet ushtrues detyre
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar ndaj praktikës së vazhdueshme të mbajtjes së pozitës së Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës me ushtrues detyre, duke e konsideruar këtë shqetësuese dhe në kundërshtim me ligjin. Sipas GLPS, shkarkimi i ushtruesit të detyrës ditën e djeshme, i cili njëkohësisht është edhe…
Lajme
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar ndaj praktikës së vazhdueshme të mbajtjes së pozitës së Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës me ushtrues detyre, duke e konsideruar këtë shqetësuese dhe në kundërshtim me ligjin.
Sipas GLPS, shkarkimi i ushtruesit të detyrës ditën e djeshme, i cili njëkohësisht është edhe një nga kandidatët fitues të konkursit, nuk duhet të pasohet nga vazhdimi i ushtruesit të detyrës, por nga emërimi i rregullt sipas procesit të përfunduar të rekrutimit.
“Procesi i rekrutimit për këtë pozitë ka përfunduar në dhjetor 2024 dhe është zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, pa asnjë shkelje që të cenonte meritokracinë apo profesionalizmin,” thuhet në komunikatën e GLPS.
GLPS vë në dukje se vazhdimi i ushtruesve të detyrës për periudha të gjata dobëson stabilitetin institucional, zvogëlon llogaridhënien dhe cenon profesionalizmin e administratës publike. Sipas tyre, pozita e Sekretarit të Përgjithshëm po mbahet me ushtrues detyre për më shumë se dy vite, pavarësisht përfundimit të konkursit ligjor.
“Çdo veprim përveç emërimit nga procesi i përfunduar përbën shkelje ligjore dhe është në kundërshtim me parimin e meritokracisë, duke cënuar sigurinë juridike dhe të drejtat e kandidatëve,” paralajmëron GLPS.
Grupi kërkon nga Kryesia e Kuvendit të angazhohet për përfundimin e procesit të rekrutimit dhe emërimin e Sekretarit të Përgjithshëm sipas rezultateve të konkursit, duke shmangur çdo politizim apo ndërhyrje në këtë pozitë kyçe të administratës publike. /Lajmi.net/