Haxhiu në seancën solemne: Rezistenca e Jasharajve në Prekaz ndryshoi historinë e Kosovës

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kujtuar sakrificën e familjes Adem Jashari dhe rezistencën që, sipas saj, ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës. Ajo rikujtoi se në marsin e vitit 1998, në Prekaz, shtëpia e Jasharajve ishte një shtëpi e…

Lajme

05/03/2026 10:38

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kujtuar sakrificën e familjes Adem Jashari dhe rezistencën që, sipas saj, ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës.

Ajo rikujtoi se në marsin e vitit 1998, në Prekaz, shtëpia e Jasharajve ishte një shtëpi e zakonshme, si shumë të tjera në Kosovë, derisa në agimin e 5 marsit forcat serbe rrethuan fshatin me mjete të blinduara dhe artileri të rëndë.

“Një aparat i tërë shtetëror u përqendrua para familjes Jashari. Shtëpia u rrethua, rrugët u bllokuan dhe lëvizja u ndërpre. Komandanti Adem Jashari dhe gjithë Jasharajt e dinin se çfarë dite kishte ardhur”, u shpreh Haxhiu.

Sipas saj, shtëpia që deri atëherë ishte e zakonshme u shndërrua në një përballje që ndryshoi historinë, ndërsa gjatë tri ditëve të luftimeve rezistenca e familjes Jashari u bë simbol i qëndresës së një populli të tërë.

Në fjalimin e saj, Haxhiu përmendi se në atë shtëpi ndodheshin Adem e Hamëz Jashari, prindërit Shaban e Zahide, si dhe gra e fëmijë, të cilët qëndruan së bashku dhe nuk u larguan nga vendi i tyre.

“Burra e gra luftuan dhe qëndruan. Çdo dhomë e çdo oborr u kthye në vijë mbrojtjeje, çdo krismë u bë betejë për liri”, theksoi ajo.

Kryetarja e Kuvendit shtoi se lufta tre-ditore nuk ishte vetëm për një familje, por për një popull që refuzoi të dorëzohej.

“Në fund të atyre tri ditëve u vranë të moshuar që kishin parë shumë, burra e gra në moshën e forcës, por edhe fëmijë që sapo kishin nisur jetën. Sakrifica e tyre mbeti jo vetëm dhimbje, por themeli i kujtesës dhe i qëndresës së kombit tonë”, deklaroi Haxhiu. /Lajmi.net/