Isufi: Mosftesa e AAK-së në konsultimet për presidentin lidhet me qëndrimin kritik ndaj qeverisë
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, ka folur për situatën politike në vend. Ai ka komentuar takimet e kryeministrit Albin Kurti me liderin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të gjetur një emër për president të vendit. Sipas Isufit, edhe pas dy raundeve të…
Lajme
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, ka folur për situatën politike në vend.
Ai ka komentuar takimet e kryeministrit Albin Kurti me liderin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të gjetur një emër për president të vendit. Sipas Isufit, edhe pas dy raundeve të takimeve, ende nuk është arritur konsensus.
Isufi ka theksuar se në këto konsultime nuk është ftuar AAK-ja, duke sugjeruar se kjo mund të lidhet me qëndrimin kritik të partisë së tij ndaj qeverisë.
“Ndoshta mbajtja e një pozicioni të vërtetë opozitar, me kritika të veçanta për dobësitë në qeverisje dhe me një reflektim të përgjithshëm për Kosovën, ka ndikuar. Aleanca ka mbajtur një qëndrim konstant se kjo mënyrë e qeverisjes nuk i shkon për shtati Kosovës, madje e dobëson zhvillimin e saj të brendshëm dhe ndikon edhe në politikën e jashtme”, ka deklaruar Isufi në Dukagjin.
Ai ka shtuar se një parti politike që merr përgjegjësi duhet të jetë e gatshme të përballet me problemet e qytetarëve.
“Një parti politike e cila e merr përgjegjësinë dhe nuk është e gatshme të ballafaqohet me problemet e qytetarëve është në dëm të Kosovës dhe, duke e mbajtur këtë qëndrim, kryeministri Kurti nuk e ka parë të arsyeshme ta ftojë z. Haradinaj në takim”, ka thënë Isufi.