Arabia Saudite mbyll pjesërisht rafinerinë e madhe të naftës

Ministria e Energjisë e Arabisë Saudite njoftoi se ka pezulluar pjesërisht operacionet në rafinerinë masive të naftës, Ras Tanura, pas një sulmi që shkaktoi zjarr në objekt. Objekti Ras Tanura, i vendosur përgjatë bregdetit lindor të Arabisë Saudite në Gjirin Persik, është një nga rafineritë më të mëdha në Lindjen e Mesme dhe një shtyllë…

Bota

02/03/2026 14:30

Ministria e Energjisë e Arabisë Saudite njoftoi se ka pezulluar pjesërisht operacionet në rafinerinë masive të naftës, Ras Tanura, pas një sulmi që shkaktoi zjarr në objekt.

Objekti Ras Tanura, i vendosur përgjatë bregdetit lindor të Arabisë Saudite në Gjirin Persik, është një nga rafineritë më të mëdha në Lindjen e Mesme dhe një shtyllë e sektorit të energjisë në këtë vend.

Kapaciteti i saj ditor i rafinimit arrin në 550.000 fuçi naftë.

“Disa njësi operative të rafinerisë u mbyllën si masë paraprake. Kjo nuk ndikon në furnizimin e tregjeve me produkte nafte”, tha një burim zyrtar në Ministrinë e Energjisë në një deklaratë të publikuar nga Agjencia zyrtare e Shtypit Saudit.

Më herët, agjencia AFP, duke cituar një “burim të informuar”, tha se se Ras Tanura ishte sulmuar dhe ishte në flakë.

Flaka më vonë u vu nën kontroll.

Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Mbrojtjes në Arabinë Saudite, rafineria u shënjestrua nga dy dronë, të cilët u kapën dhe u shkatërruan.

Ras Tanura është një nga portet më të mëdha të naftës në botë.