Cakolli: Kalimi i afatit për Presidentin çon vendin drejt zgjedhjeve të reja
Eugen Cakolli nga IKD, ka shkruar në lidhje me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit. Ai ka thënë se ndonëse ky afat po përfundon, duket se “gara” po zhvillohet rreth asaj se kujt do t’i mbetet faji nëse vendi shkon sërish në zgjedhje. Cakolli gjithashtu ka thënë se kanë filluar të përmenden ide…
Lajme
Eugen Cakolli nga IKD, ka shkruar në lidhje me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit.
Ai ka thënë se ndonëse ky afat po përfundon, duket se “gara” po zhvillohet rreth asaj se kujt do t’i mbetet faji nëse vendi shkon sërish në zgjedhje.
Cakolli gjithashtu ka thënë se kanë filluar të përmenden ide që krizat politike, t’i delegohen Gjykatës Kushtetuese “sikur ajo të ishte makanizëm për zgjidhje politike e jo garantuese e rendit kushtetues”.
“Në fakt, vet mënyra si Kushtetuta e ka ndërtuar zgjedhjen e Presidentit tregon se ky proces është menduar përtej votimeve të zakonshme të shumicës parlamentare. Kërkesa për kuorumin dhe votat e dy të tretave të deputetëve në raundet e para është një mekanizëm i qartë “anti-shumicë”, i projektuar për të prodhuar një President me mbështetje më të gjerë sesa shumica qeverisëse e momentit. Procedura me së paku dy kandidatë dhe kërkesa për 30 nënshkrime për nominim e strukturojnë garën në mënyrë që të jetë nominalisht demokratike, ndërsa mbështetja politike të ndërtohet para votimit; me raundin e tretë që siguron përfundimin e procesit dhe vazhdimësinë institucionale. Ky rregull procedural synon të garantojë që presidenca nuk kthehet në një vazhdim të përplasjes së zakonshme politike”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka thënë se kalimi i afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit që është 5 marsi, e qon vendin në situatë të mospërmbushjes së një obligimi kushtetues.
“Një gjendje e tillë praktikisht mund të adresohet vetëm përmes zgjedhjeve të reja të parakohshme. Sepse, nëse afatet varen nga vullneti për të nisur procedurat, atëherë ato humbin çdo kuptim. Kjo, sa për analogji, do të ishte njësoj sikur afati për konstituimin e Kuvendit të mos fillonte pa u thirrur mbledhja konstituive. Mbi të gjitha, normat kushtetuese nuk mund të lexohen të izoluara dhe vetëm në mënyrë literale, sepse asnjë kushtetutë nuk mund të parashohë çdo situatë politike. Aq më pak që dështimi eventual i këtij procesi nuk do të jetë rezultat i ndonjë paqartësie kushtetuese, por i vullnetit politik. Apo, më saktë, i mungesës së tij për të gjetur zgjidhje”, ka shtuar Cakolli. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: