​Përururohet libri “Rrugëtimi me Adem Demaçin”, Bajrami: Nderim i një epoke të ndërgjegjes shqiptare

Në 90-vjetorin e lindjes së simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçit, u përurua libri “Rrugëtimi me Adem Demaçin” i Selatin Novosellës. Në këtë përurim, që u mbajt në Institutin Albanologjik të Prishtinës, autori Novosella tha se ishte me fat që ka qenë pranë Demaçit. Ai tha se është hera e parë që lexon një libër…

Lajme

26/02/2026 14:55

Në 90-vjetorin e lindjes së simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçit, u përurua libri “Rrugëtimi me Adem Demaçin” i Selatin Novosellës.

Në këtë përurim, që u mbajt në Institutin Albanologjik të Prishtinës, autori Novosella tha se ishte me fat që ka qenë pranë Demaçit. Ai tha se është hera e parë që lexon një libër të tij, ku shfaqet Demaçi më ndryshe dhe jo ai i burgjeve dhe shqetësimeve.

“Isha me shumë fat që isha pranë Adem Demaçit… Ministria e Kulturës e ka shpallur shtëpinë e Adem Demaçit monument të historisë kulturore. Ajo shtëpi po rrënohet. Shtëpia ku takonte diplomatë, ambasadorë, gazetarë e sot ajo shtëpi po rrëzohet. Sot librat, të cilët me shumë dëshirë dhe me shumë punë kam arritur t’i sjelli në formë elektronike. 30 vëllime presin vetëm ditën e shtypit dhe mbesin të pashtypura. Në tërë rrugën time që do përcaktohet me libra 24 ia kam kushtuar Adem Demaçit. I lexoj, jo si libra të mi por si libra që i shoh me kënaqësi. Se nuk është ai i burgjeve e shqetësimeve, por një Adem pak më ndryshe”, u shpreh Novosella.

Akademik Arsim Bajrami tha se sot janë mbledhur për të nderuar një epokë të ndërgjegjes shqiptare. Tri vëllime që, sipas tij, përmbajnë histori, analizë politike dhe akt të kujtesës kombëtare.

“ Sot jemi mbledhur për të nderuar një epokë të ndërgjegjes shqiptare. Në qendër të këtij promovimi qëndron figura e Adem Demaçit, figura e rezistencës politike. Ato përbëjnë histori një analizë politike dhe një akt të kujtesës kombëtare. Vëllimi i tretë pasqyron vitet e fundit të Demaçit. Këto tri vëllime tregojnë një biografi morale të një kombi.. Nderojmë figurën e Adem Demaçit dhe figurën intelektuale të Novosellës”, tha Bajrami.

Edhe profesori universitar, Begzat Baliu, vlerësoi se fati i autorit Novosella ishte që jetoi pranë Demaçit.

“Çfarë fati i autorit të jetojë pranë familjes së Adem Demaçit. Ky ishte fati i Novosellës të jetojë me Demaçin edhe në burg. Periudha e parë e krijimeve fillon në mënyrë simbolike me një anekdotë për Demaçin. Rrugëtimi i autorit plotësohet me lëvizjen e tij në mënyrë ilegale me Adem Demaçin, me arrestimin e dytë të Demaçit dhe fatin e lëvizjes kombëtare. Të dy njëkohësisht bëhen dëshmitarë të historisë. Bisedat për aktivitetet kombëtare në të gjitha fushat, bashkimin kombëtarë, Kongresin e drejtshkrimit… Vëllimet lexohen me një frymë, si një histori e roman”, shtoi ai.

Selatin Novosella deri më tani ka botuar 24 libra për Adem Demaçin.