Universiteti i Prishtinës ka nisur sot Shkollën Dimërore “Warm UP”, një iniciativë akademike e mbështetur nga shteti i Luksemburgut, që synon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimin e kapaciteteve në fusha të orientuara drejt së ardhmes.
Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, tha se realizimi i kësaj shkolle dimërore është dëshmi se si një ide mund të konkretizohet brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Sipas tij, ideja për organizimin e “Warm UP” lindi para më pak se tre muajsh, gjatë një takimi me profesorin Gentrit Berisha dhe zëvendësrektoren Rozafa Basha.
“Është një moment i shkëlqyer për të parë se si, në më pak se tre muaj, një ide kalon nga koncepti në realizim praktik. Gjatë një takimi të përbashkët, ata prezantuan idenë, ndërsa unë shënova pikat kryesore dhe në fund i inkurajova ta realizonin. Dhe ata e bënë, shpejt dhe në mënyrë shumë profesionale”, u shpreh Hajrullahu.
Ai theksoi se kjo iniciativë është bërë e mundur falë mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë ambasadorin Ditz dhe profesorë nga Luksemburgu, si dhe kontributin e profesorëve të angazhuar në programe shkëmbimi, ndër ta edhe profesori Jeremy Bridge.
Sipas rektorit, bashkëpunimi ka mundësuar që disa studentë të Universitetit të Prishtinës të ndjekin studimet master dhe doktoratë në Luksemburg, në fusha si digjitalizimi dhe siguria e infrastrukturës kritike.
Ai vlerësoi në veçanti angazhimin e Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), dekanit Isak Shabani dhe stafit akademik të përfshirë në këtë projekt.
Hajrullahu theksoi se transformimi digjital mbetet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të universitetit, krahas forcimit të mobilitetit të brendshëm – përmes bashkëpunimit ndërmjet njësive akademike – dhe mobilitetit të jashtëm, që synon ndërkombëtarizimin dhe shkëmbimin e profesorëve dhe studentëve me institucione partnere jashtë vendit.