Qendra e Studentëve njofton për orar të ri në mensë dhe konvikte gjatë Ramazanit
Qendra e Studentëve ka njoftuar të gjithë studentët lidhur me disa ndryshime të përkohshme në shërbimet e mensës dhe në orarin e konvikteve, në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit. Sipas njoftimit, për shujtën e syfyrit do të ofrohen shujta të thata të paketuara. Studentët do të kenë mundësi t’i tërheqin ato çdo ditë…
Lajme
Qendra e Studentëve ka njoftuar të gjithë studentët lidhur me disa ndryshime të përkohshme në shërbimet e mensës dhe në orarin e konvikteve, në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Sipas njoftimit, për shujtën e syfyrit do të ofrohen shujta të thata të paketuara. Studentët do të kenë mundësi t’i tërheqin ato çdo ditë gjatë orarit të drekës, në një linjë të veçantë ushqimi të dedikuar për këtë qëllim.
Ndërkaq, për shkak të fluksit të madh të studentëve gjatë iftarit, është paralajmëruar se hapësirat e brendshme të restorantit mund të jenë të mbingarkuara. Për këtë arsye, në të gjitha linjat do të servohet edhe ushqim i paketuar, duke u mundësuar studentëve ta marrin me vete dhe ta konsumojnë në dhomat e tyre në konvikte.
Po ashtu, është bërë e ditur se gjatë muajit të Ramazanit do të ketë ndryshim të përkohshëm në orarin e hyrje-daljeve në konvikte. Hyrjet dhe daljet do të lejohen nga ora 03:00 deri në përfundim të kohës së syfyrit, me qëllim që studentëve t’u lehtësohen përgatitjet për këtë shujtë.
Qendra e Studentëve ka theksuar se pas përfundimit të Ramazanit, do të rikthehet orari i rregullt i hyrje-daljeve në konvikte, duke falënderuar studentët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Lajmi.net/