Krasniqi: Ne kërkonim jetë në liri dhe pavarësinë, asgjë më shumë, asgjë më pak – nuk jam kriminel siç e përshkruan në aktakuzë Prokuroria

Ish-zëdhënësi i UÇK-së dhe ish-kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në fjalën përmbyllëse bëri thirrje për drejtësi. Krasniqi tha se atij në këto 5 vite paraburgim i është mohuar e drejta për ta dashur vendin e tij, transmeton lajmi.net. “Akuzat e Prokurorisë kundër nesh dhe UÇK-së janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan…

Lajme

18/02/2026 16:34

Ish-zëdhënësi i UÇK-së dhe ish-kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në fjalën përmbyllëse bëri thirrje për drejtësi.

Krasniqi tha se atij në këto 5 vite paraburgim i është mohuar e drejta për ta dashur vendin e tij, transmeton lajmi.net.

“Akuzat e Prokurorisë kundër nesh dhe UÇK-së janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan disa luftra në gjithë Federatën Jugosllave brenda një dekade të vetme. Nuk besoj se kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie, e jo sidomos drejtësisë që shoqëritë demokratike që pretendojnë ta arrijnë. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve, ajo duhet të qëndroj mbi prova, të besueshme dhe mbi të vërtetën.”, tha ndër të tjera ai.

“Kërkoj ta gjykoni secilën provë me durim dhe pa paragjykim dhe nuk do të gjeni një ndërmarrje kriminale, por një histori njerëzore të formësuar nga shpresa dhe domodoshmëria, nga besimi në fitore dhe demokraci. Nëse kjo bindje për lirinë tonë gjykohet drejt këtu, atëherë jo drejtësia që do të shërbej mua, por do të nderoj parimin që e krijoj këtë gjykatë.”, u shpreh Jakup Krasniqi.

Fjalimi i plotë i Jakup Krasniqit: 

Sot ndodhem në vitin tim të 16-të të burgimit vetëm pse luftova për liri dhe pavarësi. Qëndroj para jush jo si kriminel që e përshkruan aktakuza e Prokurorisë, por njeri i lindur dhe i kalitur nga luftërat për dinjitet njerëzor, në një popull që refuzoi që të zhdukej, të zhdukej nga politikat e krimit dhe gjenocidit të Serbisë. 

Pjesën më të madhe të jetës time e kam kaluar i udhëhequr nga bindja se qeniet njerëzore meritojnë të jetojnë në liri. Tash më shumë se 5 vitesh burgim të padrejtë, sipas mendimit tim, të panevojshëm, angazhimin tim politikë dhe jetësor për jetë e liri jam angazhuar që herët dhe për të thënë një rrëfim të vërtetë të luftës sonë për pavarësi kundër politikave të persekutimit dhe të gjenocidit të regjimit serb, të cilat sollën vuajtje dhe shkatërrim të paparë për popullin e Kosovës.

Për më shumë se 5 vjet, besoj se më janë mohuar të drejtat e njeriut, të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, ndër to, më e rëndësishmja është e drejta për të jetuar në liri, veçanërisht është e drejta e një njeriu në fazën e fundit të jetës së tij, për të jetuar vitet e mbetura me dinjitet, pranë familjes dhe në atdheun e lirë. Kjo më është bërë pa i shkaktuar padrejtësi askujt. Pa ja rrezikuar jetën asnjë njeriu të vetëm.

Përkundrazi, kam rrezikuar jetën time, jo vetëm gjatë luftës çlirimtare, por që nga vitet 1972-1973, së bashku me familjen time, me bashkëkombësit e mijë, me bashkëfshatarët e mijë, në besimin se errësira e padrejtësisë do të thyej në agimin e shpresës. Kjo është arsyeja pse u angazhova, kjo është arsyeja pse u angazhova për çlirim dhe barazim për të gjithë. Theksoj periudhën pas 11 qershorit të vitit 1998, kur dola hapur me emrin tim të plotë, pa maskë, si zëdhënës i UÇK-së. Rreziqet ishin të jashtëzakonshme, por nuk u shqetësova për sigurinë time, sepse më udhëhiqte përkushtimi, ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe ardhmërisë së tyre.

Sot ndodhem në vitin e 16 të burgimit vetëm se luftova për lirinë dhe pavarësinë e popullit tim. Thash në vitin e 16-të se 10 vite e më tepër burg i kam kaluar nga viti 1981 deri në vitin 1991.  Të kalosh 16 nga 75 vite të jetës burgim dhe të jesh i privuar nga ajri i lirisë nuk është diçka e vogël, është diçka e madhe. Dalja ime publike me 11 qershor 1998, tregoi se isha kundërshtar i politikave gjenocidale të Serbisë dhe ndodhi pak kohë pas masakrave serbe në Çirez, Likoshan dhe Prekaz, ku humbën jetën 83 njerëz, disa prej tyre fëmijë, gra dhe të moshuar, të paarmatosur, të vrarë në shtëpitë e tyre, këto vrasje brutale ishin një pikë kthese për ndërgjegjen të tërë shqiptarëve.

Çka më shtyri që të ndërmarr këtë akt jashtëzakonisht të rrezikshëm për atë kohë? Robëria e gjatë ,persekutimet, dhunimet, burgimet e shumta dhe ekzekutimet e pandërprera dhe vrasjet që shënuan gjithë shekullin 20-të. Këto akte mizore, nuk më thyen, përkundrazi, më bën të vendosur që drejtësia të mos thyhet mbi shpinën e tiranisë që përjetuam. Dashuria për jetë dhe liri, më bëri ta marr këtë rol. Një njeri nuk zgjedh lehtë rezistencën, ai e zgjedhë atë kur çdo derë tjetër është e mbyllur. Më është mohuar e drejta më njerëzore e çdo personi të lindur i lirë dhe të çdo njeriu të arsyeshëm që e njeh vlerën e dinjitetit njerëzor dhe barazinë e të gjithëve, e drejta për ta dashur hapur vendin tim, për të punuar për të përcjellë atë që kam mësuar përgjatë dekadash jetë dhe sakrificash.  Për këto virtyte u prangosa më 4 nëntor 2020. Akuzat e Prokurorisë kundër nesh dhe UÇK-së janë ndërtuar mbi narrativat e atyre që shkaktuan disa luftra në gjithë Federatën Jugosllave brenda një dekade të vetme. Nuk besoj se kjo akuzë i shërben ndonjë drejtësie, e jo sidomos drejtësisë që shoqëritë demokratike që pretendojnë ta arrijnë. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi gjuhën e ish-shtypësve, ajo duhet të qëndroj mbi prova, të besueshme dhe mbi të vërtetën.

Padrejtësia e këtij rasti u shkrua mbi vetë aktakuzën. Mua më atribuohen role, autoritet dhe përgjegjësi që nuk i kam pasur kurrë. Kjo nuk ishte çështje dallimi në interpretimin e fakteve, ishte shpifje. Figura e përshkruar në dokumentet e Prokurorisë, nuk është njeriu që qëndron sot para jush. Jam mirënjohës ndaj atyre dëshmitarëve, që erdhën këtu dhe patën guximin ta thonë të vërtetën për atë se kush isha dhe kush nuk isha. Ata nuk erdhën për të më mbrojtur mua, por për t’i mbrojtur faktet, realitetin tonë historik të Kosovës. Dëshmitë e tyre konfirmuan një realitet të thjeshtë, unë nuk zotoja pushtetin, komandën apo funksionet që ma atribuohen në këtë rast. Kur e vërteta thuhet nuk ka nevoj për zbukurime. E gjithë bota e di që NATO ndërhyri kundër krimeve të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë. NATO dhe bota demokratike nuk janë rreshtuar kurrë me terrorizmin apo gjenocidin. Pa ndërhyrjen dhe mbështetjen ndërkombëtare, liria jonë nuk do të ekzistonte, por pa rezistencën tonë fisnike ajo nuk do të ishte arritur kurrë. Veprimet e UÇK-së dhe veprimet e mija, si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj, në çdo rast i dhanë përparësi paqes dhe kjo është dëshmuar. Zëra të besueshëm e kanë dëshmuar këtë.

Ne qëndrojmë sot këtu padrejtësisht, por historia do ta kuptoj pse vepruam dhe jo vetëm faktin se jemi të akuzuar. Duhet të flas për realitetin historik që e rrethon këtë çështje. Krimet dhe persekutimet nga forcat serbe që e formësuan atë periudhë janë të pandashme nga veprimet që ju kërkohet të gjykoni. Nuk janë zhurmë në sfond, janë të shkruar në historinë publike, me shkronja shumë të mëdha për t’u fshirë. Këto janë pjesë e realitetit që ju kërkohet të gjykoni. Bashkohem me avokatët e mijë duke ju kërkuar gjykatës të nderuar ta mbani fort në mendje atë histori sepse gjykimi pakontekst, rrezikon të ngatërroj pasojën me shkakun. Ju lutëm mos e bëni atë gabim.

Lufta jonë nuk ishte unike në histori, çdo komb që ka kërkuar liri nga një pushim i paligjshëm, është përballur me akuza se rezistenca kriminale. E drejta ndërkombëtare pohon se popujt që rrezikojnë persekutimin sistematik nuk janë armiq të drejtësisë, ata po vendosin në pah parimet midis të cilave qëndron drejtësia. Brezi ynë kishte një vizion, jeta në liri, barazinë, demokracinë, sundimin e ligjit, ishte ky vizion që udhëhoqi luftën e cila kulmoi me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008. Gjykatës të nderuar, populli ynë kurrë nuk ka kërkuar shkatërrimin e një populli tjetër, etnie apo feje.

Ne luftuam vetëm për lirinë, demokracinë, barazinë dhe drejtësinë. Jo për të kontrolluar territor për dominim, për lakmi, apo përfitim kriminal. Qëllimi ynë ishte që ta kthenim Kosovën, të populli i saj, që ata të jetonin me dinjitet, siguri dhe me të drejta të barabarta. Çdo akuzë që e thotë të kundërtën është vazhdim i gënjeshtrave të prodhuara nga regjimi kriminal i Serbisë. Për të gjithë veprimtarinë time politike, vërtet jam krenar. Zëri qëndronte për liri, për atë që besova se e kërkonte fisnikëria njerëzore. Asnjë dëshmitarë nuk ka thënë ndryshe. Ju kërkoj t’i shikoni provat dhe dëshmitë në mënyrë objektive dhe aty do të gjeni të vërtetën.

Drejtësia nuk i frikësohet shqyrtimit, ajo varet prej tij. Gjykatës të nderuar, e përsëris me respekt edhe njëherë, populli ynë kurrë nuk planifikoj shkatërrim apo torturë, ne kërkonim jetë në liri dhe pavarësinë, asgjë më shumë, asgjë më pak. Sot populli ynë jeton në liri, nëse dashuria për liri, gjykohet si krim, atëherë vet historia do të dënohet.

Qëndroi para jush, ashtu siç kam qëndruar gjatë gjithë jetës sime, i përgjegjshëm ndaj të vërtetës, dhe i pa frikësuar ndaj saj. Ia kushtova jetën bindjes se njerëzit e meritojnë lirinë, nëse kjo bindje gjykohet si krim, atëherë historia vet do të jap verdiktin e saj shumë kohë pasi që kjo gjykatë të ketë folur.

Kërkoj ta gjykoni secilën provë me durim dhe pa paragjykim dhe nuk do të gjeni një ndërmarrje kriminale, por një histori njerëzore të formësuar nga shpresa dhe domodoshmëria, nga besimi në fitore dhe demokraci.

Nëse kjo bindje për lirinë tonë gjykohet drejt këtu, atëherë jo drejtësia që do të shërbej mua, por do të nderoj parimin që e krijoj këtë gjykatë. Unë këtu po e përfundoj fjalën time, duke kërkuar drejtësi, e cila shihet qartë./lajmi.net/