Rama: Liria u bë mbi sakrificën e të burgosurve, u forcua nga vizioni i Rugovës e u vulos nga gjaku i luftës së UÇK

Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, në përvjetorin e 18 të Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se 17 shkurti është përmbledhje e sakrificave, qëndresës dhe besimit në shenjtërinë e lirisë. Rama ka thënë edhe se, liria e vendit, mban emra, fytyra e histori të gjalla, e cila u ndërtua mbi sakrificën e të burgosurve politikë, u…

Lajme

17/02/2026 17:44

Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, në përvjetorin e 18 të Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se 17 shkurti është përmbledhje e sakrificave, qëndresës dhe besimit në shenjtërinë e lirisë.

Rama ka thënë edhe se, liria e vendit, mban emra, fytyra e histori të gjalla, e cila u ndërtua mbi sakrificën e të burgosurve politikë, u forcua përmes vizionit paqësor të Rugovës, dhe u vulos me gjakun e luftës së UÇK’së.

‘’17 shkurti është vijë ndarëse mes epokave, është përmbledhje sakrifice, qëndrese dhe besimi tonë kolektiv në shenjtërinë e lirisë. E kjo liri mban emra, mban fytyra, mban histori të gjalla. Ajo u ndërtua mbi sakrificën e të burgosurve politikë që mbajtën gjallë frymën e qëndresës në vitet më të rënda. U forcua përmes vizionit paqësor e shtetformues të doktor Ibrahim Rugovës, u vulos me gjakun e luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe u kurorëzua me partneritetin ndërkombëtarë që e shndërroi të drejtën tonë në realitet shtetëror’’, ka thënë ai.

Rama ka shtuar edhe se lufta çlirimtare mbetet themeli mbi të cilin qëndron shteti i Kosovës.

‘’Lufta çlirimtare mbetet themeli mbi të cilin qëndron shteti ynë. Drejtësia mbetet ura që lidh të kaluarën me të ardhmen. Nderim çlirimtarëve tanë, drejtësi për historinë tonë’’, ka përfunduar ai.