GAP: 11 komuna rrezikojnë të mbesin me buxhet të njëjtë, ndërsa investimet qendrore favorizojnë disa zona
Instituti GAP ka publikuar analizën mbi projektbuxhetin komunal për vitin 2026, ku parashihet rritje e shpenzimeve në të gjitha kategoritë kryesore krahasuar me vitin 2025. Megjithatë, raporti nënvizon se shpërndarja e investimeve nga niveli qendror vazhdon të shoqërohet me dallime të konsiderueshme mes komunave. Sipas të dhënave, fondi për paga në komuna pritet të rritet…
Lajme
Instituti GAP ka publikuar analizën mbi projektbuxhetin komunal për vitin 2026, ku parashihet rritje e shpenzimeve në të gjitha kategoritë kryesore krahasuar me vitin 2025. Megjithatë, raporti nënvizon se shpërndarja e investimeve nga niveli qendror vazhdon të shoqërohet me dallime të konsiderueshme mes komunave.
Sipas të dhënave, fondi për paga në komuna pritet të rritet për 48.8 milionë euro apo 13 për qind. Shpenzimet për mallra dhe shërbime do të shtohen për 6.78 milionë euro (5%), ndërsa shpenzimet komunale për 1.6 milionë euro (10%). Rritje prej 6.02 milionë euro apo 17 për qind parashihet edhe në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve. Investimet kapitale, ndërkaq, pritet të jenë 16.6 milionë euro më të larta, që përfaqëson rritje prej 7 për qind.

11 komuna me rrezik për stagnim buxhetor
GAP vlerëson se buxhetet e 11 komunave duhet të rishikohen mes dy leximeve në Kuvend, pasi ato nuk e kishin miratuar buxhetin deri më 30 shtator 2025, për shkak të zgjedhjeve lokale dhe mungesës së informimit të asambleistëve.
Nëse nuk ndërhyhet me amendamente, komunat Vushtrri, Suharekë, Viti, Lipjan, Malishevë, Shtime, Junik, Zubin Potok, Gjilan, Prizren dhe Prishtinë mund të përballen me buxhet të njëjtë në vitin 2026 si në vitin paraprak. Instituti sugjeron që deputetët të bëjnë korrigjime në përputhje me metodologjinë e llogaritjes së buxhetit, në mënyrë që këto komuna të mos mbeten jashtë rritjes së përgjithshme buxhetore.

Investimet qendrore: më pak projekte të reja
Raporti e konsideron pozitive faktin që Ministria e Financave nuk ka reduktuar buxhetin e komunave që kanë shënuar rënie të popullsisë, duke mos i penalizuar ato pavarësisht nevojave për investime.
Megjithatë, GAP thekson se ende nuk është funksionalizuar Granti i Katërt për komuna, çka, sipas tyre, po ndikon në krijimin e pabarazive në përfitimin e fondeve nga niveli qendror.
Për vitin 2026, ministritë planifikojnë të investojnë rreth 216.6 milionë euro në projekte komunale, që përbën 29 për qind të totalit të investimeve të tyre kapitale. Nga kjo shumë, vetëm 15 milionë euro janë të dedikuara për projekte të reja – 32 për qind më pak se në vitin 2025 – dhe vetëm 23 komuna do të përfitojnë prej tyre.
Komuna të mëdha si Prishtina, Ferizaj dhe Fushë Kosova nuk figurojnë fare në listën e investimeve të reja kapitale për vitin e ardhshëm.

Pabarazi në ndarje sipas përkatësisë politike
Analiza e GAP tregon se ndarja e investimeve nuk është plotësisht proporcionale me numrin e popullsisë apo sipërfaqen territoriale të komunave.
Komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje përfitojnë 40.3 për qind të investimeve totale dhe 34 për qind të projekteve të reja, ndonëse përbëjnë 23.8 për qind të popullsisë dhe 18.3 për qind të sipërfaqes së vendit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përfiton 29.5 për qind të investimeve të reja, me 14 për qind të popullsisë dhe 16.8 për qind të territorit. Lidhja Demokratike e Kosovës, që përfaqëson 30.5 për qind të popullsisë dhe 25.6 për qind të sipërfaqes, merr 17.3 për qind të investimeve totale dhe 10.6 për qind të investimeve të reja.
Sipas raportit, Partia Demokratike e Kosovës ka një shpërndarje më të balancuar të fondeve, ndërsa Lista Serbe përfiton rreth 2 për qind të investimeve.
Komunat me përfitimet më të mëdha dhe më të vogla
Ndër komunat me alokimet më të larta nga niveli qendror përmenden Gjilani me 30.7 milionë euro, Ferizaji me 21.4 milionë euro dhe Mitrovica me 19 milionë euro.
Në anën tjetër, investimet më të ulëta janë evidentuar në Graçanicë, Obiliq dhe Zveçan.
