Tentim grabitjeje në orët e para të mëngjesit, pesë të arrestuar në Kaçanik
Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Kaçanik, nën dyshimin për tentim të vjedhjes së rëndë, në orët e hershme të mëngjesit. Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 01:40, policia ka pranuar informacione se dy persona po tentonin të thyenin dritaren e një artarije në rrugën “Ismail Raka” në Kaçanik. Menjëherë pas pranimit të…
Lajme
Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Kaçanik, nën dyshimin për tentim të vjedhjes së rëndë, në orët e hershme të mëngjesit.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 01:40, policia ka pranuar informacione se dy persona po tentonin të thyenin dritaren e një artarije në rrugën “Ismail Raka” në Kaçanik. Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë arrestuar në flagrancë dy të dyshuar, shtetas të Serbisë, M.M. (36 vjeç) dhe D.T. (35 vjeç).
Në të njëjtën kohë, një patrullë tjetër policore ka ndaluar një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin tre persona të dyshuar, shtetas kosovarë: L.M. (48 vjeç), B.H. (42 vjeç) dhe R.F. (28 vjeç), të cilët janë shoqëruar në stacion policor.
Në vendin e ngjarjes ka dalë Njësia e Hetimeve, e cila ka kryer ekzaminimin dhe ka konfiskuar mjete të dyshuara të përdorura për kryerjen e veprës penale, përfshirë: shufër metalike (hebell), dana, çelësa të ndryshëm, kaçavida, mjet të mprehtë (skalpër) dhe doreza. Gjithashtu, gjatë kontrollit janë gjetur çelësat e një veture të tipit VW Caddy me targa vendore, e parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe përkthyesit, ndërsa dy prej tyre kanë pranuar përfshirjen në rast. Me urdhër të prokurorit të shtetit, të pesë personat janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejshme hetimore.
Policia Rajonale e Ferizajt ka theksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale dhe ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim, duke i inkurajuar që çdo veprim të dyshimtë ta raportojnë në numrin 192 ose përmes platformës digjitale “Lajmëro Policinë”.