Kontradiktat e Pecit – akuzon dikë për vjedhje të votave, kurse vetë e emëron nënkryetar të komunës të dënuarin dy herë për këtë punë

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci dje u intervistua nga Prokuroria Speciale për disa orë, për çështjen e granteve sa ishte ministër i Bujqësisë. Këtë për lajmi.net e konfirmoi fillimisht Prokuroria Speciale, pastaj Peci me anë të një postimi tregoi se është intervistuar. Por, Peci në postimin e tij iu “sul” ish-deputetit të LDK-së,…

Lajme

31/01/2026 22:51

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci dje u intervistua nga Prokuroria Speciale për disa orë, për çështjen e granteve sa ishte ministër i Bujqësisë.

Këtë për lajmi.net e konfirmoi fillimisht Prokuroria Speciale, pastaj Peci me anë të një postimi tregoi se është intervistuar.

Por, Peci në postimin e tij iu “sul” ish-deputetit të LDK-së, Paris Guri, duke thënë se do të bëj kallëzim penal për kallëzim të rrejshëm.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut nuk u ndal me kaq. Ai sulmoi Gurin se është bërë deputet me vota të vjedhura të mërgatës, në shkurt të 2025-tës.

“Permes këtij postimi, ju informoj se sot isha në Prokurori për të dhënë përgjigjet dhe sqarimet e mia në kallëzimin penal të ngritur nga LDK-ja përmes ish-deputetit të saj të zgjedhur nga votat e vjedhura të mërgatës, Paris Guri.”, shkroi ndër të tjera Peci.

Kjo akuzë e Pecit do të kishte kuptim sikur ai mos ta kishte emëruar nënkryetar të komunës Enis Osmanin, i dënuar dy herë për vjedhje votash.

Enis Osmani, ish-këshilltari i Pecit sa ishte ministër, ishte dënuar dy herë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, dhe dënimet e tij kishin ardhur për shkak të vjedhjes së votave.

Në rastin e parë Osmani ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, dënim me gjobë prej 1 mijë e 500 euro.

Kurse në rastin e dytë Osmani dënohet me burgim me kusht prej 1 viti për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2019.

Ai e kishte pranuar fajësinë për falsifikim të rezultateve të votimeve në zgjedhjet e vitit 2017, në një qendër votimi në fshatin Bare të Mitrovicës.

Osmani kishte deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, duke shtuar se ka mundur të ndodhë për shkak të neglizhencës dhe lodhjes pasi të njëjtën ditë ka punuar rreth 27 orë.

“Ndoshta ka qenë puna që iu kam besuar më shumë se që duhet anëtarëve të komisionit, më vjen keq për këtë që ka ndodhur, premtoj se nuk do ta përsëris asnjëherë”, deklaronte Osmani atëkohë./lajmi.net/