“As nuk konfirmojmë, as nuk mohojmë” – Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit thyen heshtjen për hetimin e pasurisë së presidentes Osmani

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka folur lidhur me raportimet se institucioni që ai drejton ka nisur verifikimin e pasurisë së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke theksuar se ligjërisht nuk mund të japë detaje për raste konkrete që janë në trajtim. Në një prononcim për Kosovapress, Buleshkaj deklaroi se deri…

Lajme

30/01/2026 14:32

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka folur lidhur me raportimet se institucioni që ai drejton ka nisur verifikimin e pasurisë së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke theksuar se ligjërisht nuk mund të japë detaje për raste konkrete që janë në trajtim.

Në një prononcim për Kosovapress, Buleshkaj deklaroi se deri të përfundoj i gjithë procesi nuk mund të informojnë publikun, transmeton lajmi.net.

“Agjencia është deklaruar edhe më herët. Për rastet që ne jemi duke i trajtuar, nuk kemi të drejtë ligjore që të shprehemi a jemi duke kryer verifikimin e tyre apo jo. Ne kemi dhënë një deklaratë publike ku kemi treguar, ku kemi thënë që ne as nuk e konfirmojmë, as nuk e mohojmë një të tillë. Ne kryejmë punën. Kur të përfundohet i gjithë procesi, ne mund t’ju informojmë publikun edhe për emrat e përveçëm në qoftë se janë nënshtruar procesit. Ne nuk do të mund t’i informojmë publikun fatkeqësisht ndoshta me emrat e atyre që i përcjellim në prokurori sepse publikimi i emrave të tyre mund të dëmtojë hetimet eventuale në prokurori. Por për ata të paktën që i kemi përfunduar dhe s’kemi gjetur shpërputhje, ne mund t’ju, t’ju informojmë juve si publik. Për momentin nuk kam të drejtë ligjore që të deklarohem për këtë temë sepse stafi është në proces të hetimit si drejtor nuk mund t’i ndërhyjë në këto aspekte”, tha ai.

Deklarata e tij vjen pas raportimeve në media se Agjencia ka nisur procedurë zyrtare verifikimi lidhur me deklarimet e pasurisë së presidentes, pas evidentimit të dallimeve mes formularëve të pasurisë për vitet 2024 dhe 2025.

Sipas këtyre raportimeve, verifikimi lidhet kryesisht me ndryshime të dukshme në rritjen e kursimeve dhe shtimin e shumës së parave të gatshme të deklaruara, çka ka nxitur Agjencinë të veprojë në përputhje me kompetencat e saj ligjore.

Nga ana tjetër, Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka informacione për një hetim të tillë. Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, ka deklaruar se presidentja Osmani “mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhi”.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, sipas ligjit, ka mandat të verifikojë saktësinë e deklarimeve të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, ndërsa për rastet në proces hetimi zakonisht nuk jep detaje deri në përfundim të procedurave./lajmi.net/