Balanci i raportuar tregtar i Kosovës është gabim!
Shkruan: Virtyt Gacaferri Ka qenë shqiptari, gjermani dhe zvicerani. Gjermani e kishte rrogën 3 000 euro, shpenzonte 2 500 dhe kursente 500. Zvicerani e kishte rrogën 5 000 franga, shpenzonte 4 000 dhe kursente 1 000. Shqiptari e kishte rrogën 500 euro, shpenzimet 700 dhe shkonte në det dy herë në vit. “Qysh?” – nuk…
Opinion
Shkruan: Virtyt Gacaferri
Gjermani e kishte rrogën 3 000 euro, shpenzonte 2 500 dhe kursente 500.
Zvicerani e kishte rrogën 5 000 franga, shpenzonte 4 000 dhe kursente 1 000.
Shqiptari e kishte rrogën 500 euro, shpenzimet 700 dhe shkonte në det dy herë në vit.
“Qysh?” – nuk e di, ka thënë shqiptari.
Kjo është një anekdotë, por nëse i shikon disa “analiza ekonomike”, disa ekonomistë të bëjnë të mendosh se kjo është krejtësisht e mundur.
Një nga këto analiza është kur institutet apo ekonomistët e televizioneve flasin për balancin tregtar të Kosovës dhe thonë se është minus gjashtë miliardë euro. Çka bëjnë ata? Shkojnë në faqen e Doganës së Kosovës, i shikojnë importet dhe eksportet, bëjnë një plus-minus dhe e nxjerrin shifrën.
Kjo është një metodë shumë banale dhe jo e saktë. Ekonomia e Kosovës është rreth 45 për qind shërbime dhe shumica e këtyre shërbimeve janë eksport. Ky eksport nuk kalon nëpër doganë dhe për këtë arsye analistët nuk i shohin dy miliardë euro është shumë e madhe për ekonominë tonë.
Nëse dikush dëshiron ta shikojë bilancin e vet – dhe kjo vlen edhe për shtetin – e shikon llogarinë bankare: sa para kanë hyrë dhe sa kanë dalë. Nëse i mbledhim të gjitha llogaritë bankare të Kosovës në një të vetme, atëherë bilanci do të ishte shumë më ndryshe nga përshtypja që krijohet nga shifrat e marra vetëm nga Dogana e Kosovës.
Pra, sipas BQK-së, për periudhën janar-nëntor 2025, në milionë euro:
– tregtimi i mallrave: -4 641;
– tregtimi i shërbimeve: +1 945;
– të hyra primare dhe sekondare (remitenca, rroga, pensione, qira dhe të ardhura të tjera nga jashtë): +1 949.2
Në fund, bilanci i Kosovës del negativ rreth 740 milionë euro. Sipas analistëve, këto plotësohen edhe me paratë që futen kesh dhe me shpenzimet e diasporës gjatë qëndrimit në Kosovë, të cilat nuk kalojnë nëpër transfere ndërkombëtare apo doganë. Në të vërtetë, këto bashkërisht mund të tejkalojnë një miliard euro, gjë që bën që Kosova në bilancin e llogarive të jetë në plus e jo në minus.
Kjo bëhet edhe më e kuptueshme kur shohim se kosovarët janë ndër investitorët më të mëdhenj në Shqipëri. Me shifra “alarmante” se bilanci tregtar i Kosovës është minus gjashtë miliardë, kjo gjë nuk do të ishte e mundur. Edhe institutet si GAP, edhe ekonomistët që dalin në televizione, duhet ta ngrenë nivelin e analizës dhe jo të gjejnë mënyrën më të thjeshtë të analizimit vetëm për dizajn dhe “like”.
Te shifrat e Bankës Qendrore janë dy gjëra që kërkojnë vëmendje të veçantë.
E para është eksporti pozitiv i shërbimeve prej rreth 1.9 miliardë euro. Ky nuk është numër i vogël dhe duhet të përfshihet në çdo analizë serioze. Kosova ka më shumë mundësi të eksportojë shërbime, për shkak të popullatës së re që ka, sesa produkte industriale apo bujqësore. Fokusimi në shërbime me vlerë të lartë rrit standardin dhe fitimin për person.
Gjëja e dytë është të identifikohen cilat janë këto shërbime dhe si mund të rriten, në mënyrë që të mbyllet edhe ai minus prej rreth 700 milionësh në bilancin e llogarive dhe të kthehet në pozitiv. A janë kompani të IT-së? Qendra thirrjesh [call center]? Shitja e biletave të aeroplanit? Apo diçka tjetër? Retorika alarmante se “importojmë shumë nga Kina” i ka shtyrë disa figura politike të propozojnë që të mos blejmë nga Kina, por t’i prodhojmë vetë. Ndërkohë, nga Kina vijnë iPhone-t dhe pothuajse e gjithë teknologjia. Lënia anash e eksportit të shërbimeve nuk është gabim teknik – është mosdije.
Për ta përmbledhur: ai shqiptari që fiton 500 euro dhe shpenzon 700 nuk bën vezë të arta në vend të kakës, por ka të ardhura dytësore. Dikush vendos pllaka të qeramikës, dikush përkthen, dikush bën data entry në Upwork, e dikush shkon te daja, ia mban letrat dhe merr edhe 200 euro në muaj.
Në fund, rreth 730 milionë euro minus të Kosovës janë afërsisht 6.8 për qind e GDP-së. Në situatë të ngjashme është edhe Shqipëria, ndërsa Serbia e ka këtë balanc edhe më të lartë. Bazuar në këto shifra, Kosova nuk del aq keq sa portretizohet nga “disbalanci tregtar” prej gjashtë miliardë eurosh, i cili thjesht nuk është analizë e saktë.