“Institucioni ka përgjegjësi, Prokuroria duhet ta hetojë”- Shtohen dyshimet ndaj KQZ-së pas situatës me vjedhje të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri me tani nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për skemën kriminale të vjedhjes se votave të kandidatëve për deputetë. Duke ikur nga përgjegjësia kushtetuese dhe ligjore, zyrtarët e partive politike në KQZ-së kanë fajësuar shoqërinë civile për mosvëzhgim të procesit. Megjithatë, tani ka filluar të drejtohet gishti edhe nga KQZ-ja. Kandidatë…

Lajme

28/01/2026 09:51

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri me tani nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për skemën kriminale të vjedhjes se votave të kandidatëve për deputetë. Duke ikur nga përgjegjësia kushtetuese dhe ligjore, zyrtarët e partive politike në KQZ-së kanë fajësuar shoqërinë civile për mosvëzhgim të procesit. Megjithatë, tani ka filluar të drejtohet gishti edhe nga KQZ-ja.

Kandidatë për deputet, ish-prokurorë dhe avokatë kanë kërkuar nga prokuroria që edhe KQZ-ja të hetohet për këtë çështje.

Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka drejtuar akuza të rënda ndaj KQZ-së.

Në profilin e tij në “Facebok”, ai ka thënë se KQZ-së e ka manipuluar këtë proces zgjedhor.

“Fillimisht KQZ morri vendime ne kundershtim me Ligjin për Zgjedhjet, tani KQZ ka ndryshuar metodologjinë e rinumërimit në mes të procesit, duke braktisur rendin sipas komunave dhe vendvotimeve dhe duke e zëvendësuar me një proces kaotik, të fragmentuar. Ky ndryshim arbitrar ka prodhuar devijim të qartë të trendit të rezultateve dhe ka dëmtuar rëndë besimin kandidatëve dhe qytetarëve. Kur rinumërimi ndërpritet pa kriter, vazhdohet me komuna të tjera dhe humbet gjurmueshmëria e vendvotimeve, procesi bëhet i pabesueshëm. KQZ, në vend që të mbrojë integritetin e votës, po ndryshon rregullat gjatë rinumërimit, duke u shndërruar nga arbitër i paanshëm në palë aktive në deformimin e procesit zgjedhor”, ka shkruar Haxhiu, duke e ftuar prokurorinë që të nis hetimet ndaj KQZ-së.

“Kërkojë rikthim të menjëhershëm të rinumërimit sipas rendit të komunave, transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale. Çdo votë e cenuar është një goditje ndaj demokracisë. Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet për të gjitha vendimet dhe veprimet që kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke filluar nga kreu i KQZ-së e deri te çdo individ që ka pasur guximin të shkelë ligjin, të deformojë procesin zgjedhor dhe të manipulojë vullnetin e qytetarëve”, ka shkruar ai.

Edhe ish-kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, ka thënë se KQZ-ja nuk mund të ik nga përgjegjësi për këtë çështje.

Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ai ka thënë se KQZ-ja është dashur të ketë kujdes në certifikimin e komisionerëve.

“Edhe KQZ-ja është e ndërlidhur dhe duhet të ketë përgjegjësi, sepse siç u tha edhe familjarët e kandidatëve kanë qenë të kyçur. Përveç subjekteve dhe kandidatëve, besoj që edhe KQZ-ja është dashur me ditë kë po e licencon, kush do të jenë komisionerë?”, ka deklaruar ai.

Njëjtë mendon edhe avokati Arianit Koci.

Ai ka bërë me dije se për këtë dallavere nuk duhet të hetohen vetëm komisionerët.

“Nuk mjafton të hetohet vetëm komisioneri në terren dhe deputeti që eventualisht ka përfituar, kur ka dyshime për vjedhje votash. Procesi zgjedhor është zinxhir dhe përgjegjësia duhet kërkuar në çdo nivel ku çojnë faktet. Nëse flasim për vjedhje industriale të votës, të organizuar dhe të koordinuar, duhet parë edhe roli i atyre që kanë pasur detyrim ligjor ta parandalojnë. Në këtë kontekst hyn KQZ (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve), institucioni që organizon procesin dhe shpall rezultatet”, ka shkruar ai, duke treguar pse duhet hetuar KQZ-ja.

“KQZ përbëhet nga 11 anëtarë: kryesuesi emërohet prej Presidentit nga radhët e gjyqtarëve, ndërsa anëtarët propozohen nga partitë politike sipas përfaqësimit që kanë në Kuvend, si dhe nga përfaqësues të komuniteteve. Për këtë arsye, nëse ka dyshime për manipulime me vota, duhet hetuar nëse brenda këtij mekanizmi ka pasur dijeni, tolerim, apo mosveprim”, ka vlerësuar ai.