Thanë se paralajmërimi i Komunës së Prishtinës për erëra të forta s’mbështetej nga ta, IHMK tërhiqet nga deklarata e tyre
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka mohuar paralajmërimin e Komunës së Prishtinës për erëra të forta në kryeqytet, duke u thirrur në të dhënat e këtij instituti. IHMK tha në një njoftim në Facebook se nuk ka parashikuar ashtu. “IHMK sqaron se njoftimi i Komunës së Prishtinës për erëra të forta për sot, 25.01.2025, nuk është i…
Lajme
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka mohuar paralajmërimin e Komunës së Prishtinës për erëra të forta në kryeqytet, duke u thirrur në të dhënat e këtij instituti.
IHMK tha në një njoftim në Facebook se nuk ka parashikuar ashtu.
“IHMK sqaron se njoftimi i Komunës së Prishtinës për erëra të forta për sot, 25.01.2025, nuk është i mbështetur në parashikimin e motit nga IHMK. Njoftohet opinioni publik se ky njoftim i Publikuar nga Komuna e Prishtinës përmes Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, e të cilët thirren në parashikimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës nuk qëndron, pra IHMK nuk e ka bërë një parashikim të tillë. Parashikimin e IHMK për datat 24 dhe 25 Janar 2025 e gjeni të publikuar në FB të IHMK dhe nuk është dhënë ky njoftim për rreziqe nga erërat”, thuhet në një njoftim, i cili u fshi pas disa minutave.
Më pas, IHMK doli me një sqarim dhe e quajti keqkuptim postimin e fshirë.
“Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njofton opinionin se publikimi fillestar dhe më pas largimi i menjëhershëm nga faqja zyrtare në Facebook i postimit lidhur me erërat dhe njoftimin e Komunës së Prishtinës ka qenë rezultat i një keqkuptimi. Theksojmë se nuk ekziston asnjë mosmarrëveshje ndërmjet IHMK-së dhe Komunës së Prishtinës. Përkundrazi, bashkëpunimi institucional është korrekt dhe në funksion të informimit të drejtë të qytetarëve. IHMK, në vazhdimësi, realizon njoftimin me kohë dhe me saktësi të institucioneve përkatëse dhe të qytetarëve lidhur me kushtet dhe fenomenet meteorologjike. Falënderojmë për mirëkuptimin!”, shkruan IHMK.
IHMK parashikoi erëra me shpejtësi të lehtë deri në mesatare që do të krijonin kushte që nga dita e hënë të sjellin reshje të shiut.
Drejtoria e Emergjencave e Prishtinës tha se sipas IHMK-së, nga mëngjesi i ditës së diel pritej të kishte erëra të intensitetit mesatar deri të fortë, të cilat do të ishin më të theksuara në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore.
“Bazuar në paralajmërimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, nga mëngjesi i ditës së diel, 25 janar 2026, pritet të ketë erëra të intensitetit mesatar deri të fortë, të cilat do të jenë më të theksuara në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore. Shpejtësia e erës: Zona kodrinoro-malore: 11–14 m/s (erë e fortë); Zona më të ulëta: 8–11 m/s (erë mesatarisht e fortë) Sipas parashikimeve, erërat pritet të dobësohen nga mëngjesi i së hënës, 26 janar 2026”, u tha nga Komuna e Prishtinës.