Ekspertët thonë se kriza energjetike po godet bizneset
Situata me furnizimin me energji elektrike në vend po vazhdon të shkaktojë shqetësim të madh te bizneset dhe ekonomia në përgjithësi, teksa ekspertët vlerësojnë se ndërprerjet e papritura dhe çmimet e larta të energjisë po sjellin humbje të mëdha, veçanërisht për sektorin prodhues. Vlerësohet po ashtu se rreziku për rritje të re të çmimit të…
Lajme
Situata me furnizimin me energji elektrike në vend po vazhdon të shkaktojë shqetësim të madh te bizneset dhe ekonomia në përgjithësi, teksa ekspertët vlerësojnë se ndërprerjet e papritura dhe çmimet e larta të energjisë po sjellin humbje të mëdha, veçanërisht për sektorin prodhues. Vlerësohet po ashtu se rreziku për rritje të re të çmimit të energjisë elektrike mbetet i lartë, për shkak të importit të madh dhe kërkesës së shtuar.
Ekspertit financiar, Kushtrim Ajvazi, tha se bizneset po përballen me pasoja serioze për shkak të mungesës së stabilitetit energjetik dhe kostove të larta të furnizimit.
“Është një situatë shqetësuese për bizneset që po ballafaqohen me këtë situatë sepse humbjet janë të pariparueshme, dmth ka ndërprerje të energjisë elektrike pa paralajmërim dhe sidomos te sektori prodhues, kjo është një kosto shumë e madhe e humbjes së materialeve të lëndëve të para që janë në procese të cilat ndoshta duhet edhe të gjuhen. Por përveç asaj bizneset po paguajnë shumë shtrenjtë për energjinë elektrike, tash jemi edhe në mungesë”, thotë ai.
Ajvazi thekson se situata është përkeqësuar edhe më shumë pasi bizneset po përballen njëkohësisht me mungesë të energjisë dhe me çmime shumë të larta, duke e bërë të vështirë vazhdimin normal të punës.
“Unë kam thënë se a më mirë me mbet në mungesë të energjisë, apo me çmime të larta? Ndoshta më mirë me mbet me çmime të larta. Te na fatkeqësisht po ndodhin të dyjat. Edhe jemi duke paguar cmime dy-trefish më të larta dhe ka pasë realisht ndërprerjeje të energjisë ka pasë edhe te bizneset që kanë qenë në tregun e lirë. Por fatmirësisht ajo situatë nuk është, ndërsa te bizneset tjera situata në vend nuk duket të jetë e mirë në situatën aktuale me të cilën po ballafaqohemi. kjo varet sa zgjat mungesa e energjisë elektrike”, u shprehet ai, duke shtuar se mungesa e planeve strategjike e bën edhe më të paqartë të ardhmen energjetike të vendit.
Sipas tij, rreziku për rritje të re të çmimit të energjisë elektrike mbetet i lartë, për shkak të importit të madh dhe kërkesës së shtuar, ndërsa mungojnë investimet në kapacitete të reja prodhuese dhe burime të ripërtritshme.
“Situata nuk është e mirë, po shpresojmë që do të rregullohet. Nuk po shihet që do të rregullohet, sepse nuk kemi asgjë ende. nuk kemi as planin e prodhimit e as planin vjetor të bilancit të energjisë për vitin 2026, jemi në fund të janarit. Në vitin e kaluar është aprovuar plani i 2025-ës, në nëntor të vitit 2025, dmth pa kalu viti. Tash nuk kemi ende. Ajo çka po shihet e çka dimë, është se po do të kemi prapë rritje të çmimit të energjisë elektrike ndoshta nga fillimi i muajit prill, sepse importi është jashtëzakonisht shumë i lartë. Kërkesa në anën tjetër është shumë e madhe, dhe e vetmja formë do të jetë rritja e çmimit”, nënvizoi ai.
Nga ana tjetër, profesori i energjetikës Vezir Rexhepi shpjegon se gjatë dimrit kërkesa për energji elektrike rritet ndjeshëm, ndërkohë që sistemi elektroenergjetik i Kosovës përballet me probleme serioze në prodhim, transmetim dhe furnizim të qëndrueshëm.
“Faktikisht kërkesa gjatë dimrit është shumë e lartë për energji elektrike e kalon gati dyfishin e kërkesës gjatë periudhës verore edhe në këtë kohë, për fat të keq në vendin tonë ka probleme që e përcjellin edhe prodhimin e përcjellin nganjëherë edhe transmetimin dhe furnizimin e qëndrueshëm të energjisë elektrike të konsumatorëve e në këtë rast mund të themi që ditëve të fundit ka pasur problematika të ndryshme që janë lidh edhe me gjenerimin. Pra faktikisht me Korporatën e Energjisë Elektrike të Kosovës edhe KESCO si furnizues për energji elektrike në Kosovë faktikisht kontratën e ka me prodhimin e energjisë që prodhohet në KEK, pra termocentrali Kosova A dhe Kosova B janë përballur disa herë me problematika me rënie të blloqeve sepse e kanë një vjetërsua të konsiderueshme operimi të tyre dhe nuk janë të besueshme dhe të qëndrueshme në prodhim të vazhdueshëm të energjisë elektrike dhe nganjëherë reduktimet janë të detyrueshme për shkak të këtyre problematikave që e përcjellin systemin elektro energjetik të Kosovës”, tha ai.
Ai shton se reduktimet e energjisë janë të pashmangshme në raste të tilla dhe se ato kanë ndikim të drejtpërdrejtë në kompanitë prodhuese dhe shërbyese, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike.
“Reduktimet e tilla ndikojnë shumë në ekonominë edhe biznesore në kompanitë prodhuese dhe shërbyese gjitha këto sepse ato e kanë një kontinutet prodhimi dhe nëse vërtetë në atë periudhë kohore gjatë punës se tyre sidomos të prodhimit ka ndërperje tq energjisë elektrike ato I sjellin shumë kokçarje dhe faktikisht sjellin dëme ekonomike të konsiderueshme dhe shpresojmë që në të ardhmen në një farë mënyre apo tjetër të ketë me të mirë për prodhim të energjisë elektrike’’, ka thënë ai për EO.