Deri tani 8 të ndaluar për keqpërdorim me vota në Prizren, avokati i njërit komisioner konfirmon arrestimin e njërit prej tyre

Policia e Kosovës në Prizren në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prizrenit janë duke e vazhduar një aksion të gjerë që ka filluar mëngjesin e sotëm. Aksioni lidhet me dyshimet për manipulim dhe keqpërdorim të votave nga zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit. Lajmi.net mëson se deri më tani të arrestuar nga ky hetim janë tetë…

Lajme

23/01/2026 10:45

Policia e Kosovës në Prizren në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prizrenit janë duke e vazhduar një aksion të gjerë që ka filluar mëngjesin e sotëm.

Aksioni lidhet me dyshimet për manipulim dhe keqpërdorim të votave nga zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit.

Lajmi.net mëson se deri më tani të arrestuar nga ky hetim janë tetë persona.

Kurse njëri nga komisionerët e arrestuar është një nga partia e udhëhequr nga Emilja Rexhepi, saktësisht Nova Demokratsk Stranka.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga avokati i tij mbrojtës, Blend Gjini.

“Unë përfaqësojë komisionerin e partisë së Emilja Rexhepi. Ai tani gjendet në Polici dhe me shumë gjasë Prokuroria e ka ndaluar vese për 48 orë. Unë si përfaqësues i klientit kemi vendosur që të mbrohet në heshtje, por e çuditshme ishte që Policia ka kërkuar që telefoni të dorëzohet menjëherë”,deklaroi ai.

Gjini tha se “Nuk ka asnjë ndërhyrje, komisioneri i partisë që ne e mbrojmë në këtë rast nuk ka asnjë provë se ai ka manipuluar me vota” .

Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kanë ndaluar edhe komisionerë të tjerë. Kjo vie pasi është duke u zhvilluar një hetim i gjerë mbi manipulimet dhe keqpërdorimet që ndodhën në zgjedhjet nacionale në kuadër të votave për kandidatë për deputetë

Aksioni në fjalë është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës si dhe nga Prokuroria në Prizren, por nuk janë dhënë detaje shtesë.

“Konfirmoi se aksioni është duke u zhvilluar. Për momentin nuk mund të ndajmë detaje tjera, pasi procedurat janë në vazhdim”, u tha nga Zyra për Informim e Prokurorisë në Prizren.

Kurse “Për detajet e këtij operacioni do të njoftoheni në përfundim të tij”, tha zëdhënësja e Policisë së Kosovës, majore Luljeta Mehmeti../Lajmi.net/