Nga Abu Dhabi vjen lajmi, nis projekti për Spitalin e Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë – Emiratët e Bashkuara Arabe do të japin donacion 25 milionë euro
Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, ka njoftuar se ka nisur faza e parë e përgatitjeve për përcaktimin e lokacionit ku do të realizohet projekti për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë. Sipas tij, bëhet fjalë për një donacion në vlerë prej 25 milionë eurosh, i akorduar nga…
Lajme
Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, ka njoftuar se ka nisur faza e parë e përgatitjeve për përcaktimin e lokacionit ku do të realizohet projekti për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë.
Sipas tij, bëhet fjalë për një donacion në vlerë prej 25 milionë eurosh, i akorduar nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili do të investohet në këtë projekt të rëndësishëm për sektorin e shëndetësisë në Kosovë, transmeton lajmi.net.
Hamiti ka bërë të ditur se informacionet i ka marrë gjatë një takimi zyrtar në Abu Dhabi, ndërsa lajmin e ka ndarë edhe përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Po ashtu, ai ka njoftuar se gjatë këtij viti pritet të nisë edhe procesi i renovimit dhe pajisjes me teknologji moderne mjekësore i Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri, projekt ky që do të financohet me 7.5 milionë euro.
Ambasadori ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj udhëheqjes së Emirateve të Bashkuara Arabe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke theksuar se këto donacione do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
Lexoni të plotë njoftimin e tij:
Një lajm i mirë nga Abu Dhabi për Spitalin e Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë
Gjatë kësaj jave, i shoqëruar nga Këshilltari, z. Melhin Mahmuti, u prita nga Shkëlqesia e Saj, Dr. Noura Al-Gauthi, Zëvendëssekretare e Departamentit të Shëndetësisë – Abu Dhabi, e cila më informoi se, në bashkëpunim me Ministrinë tonë të Shëndetësisë, kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë euro, të ndarë nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë.
Gjatë takimit, po ashtu u njoftuam se ky Departament, gjatë këtij viti, do të fillojë procesin e rinovimit dhe pajisjes me teknologji të re mjekësore të Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri në shumë prej 7.5 milionë euro.
Me këtë rast, në emër të shtetit dhe popullit tonë, shpreha mirënjohjen më të thellë ndaj lidershipit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në krye me Presidentin e vendit, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe ndaj popullit emiratas, për këto donacione të çmuara që kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e kushteve të sektorit të shëndetësisë në Republikën e Kosovës./lajmi.net/