Kosova në pritje të buxhetit, ekspertët paralajmërojnë kolaps
Njohës të zhvillimeve politike dhe ekspertë të ekonomisë po paralajmërojnë për pasoja të rënda nëse bllokada politike rreth miratimit të buxhetit vazhdon edhe gjatë vitit 2026. Sipas tyre, nëse vendi hyn në fund të shkurtit pa buxhet të miratuar, Kosova rrezikon seriozisht stabilitetin ekonomik dhe social. Njohës të rrethanave politike dhe ekspertë ekonomikë po paralajmërojnë…
Lajme
Njohës të zhvillimeve politike dhe ekspertë të ekonomisë po paralajmërojnë për pasoja të rënda nëse bllokada politike rreth miratimit të buxhetit vazhdon edhe gjatë vitit 2026. Sipas tyre, nëse vendi hyn në fund të shkurtit pa buxhet të miratuar, Kosova rrezikon seriozisht stabilitetin ekonomik dhe social.
Njohës të rrethanave politike dhe ekspertë ekonomikë po paralajmërojnë për pasoja serioze nëse bllokada politike rreth miratimit të buxhetit vazhdon edhe gjatë vitit 2026. Nëse vendi hyn në fund të muajit shkurt pa buxhet të miratuar, Kosova rrezikon të përballet me kolaps ekonomik dhe social.
Politologu Artan Muhaxhiri kujton se kriza e vitit të kaluar nuk guxon të përsëritet. Sipas tij, “bllokada e vitit të kaluar i ka kaluar të gjitha limitet dhe nuk duhet të lejohet të ndodhë sërish”.
Muhaxhiri thekson se buxheti është çështje jetike për funksionimin e shtetit, ndërsa rrezikimi i institucioneve përmes kalkulimeve politike është një skenar që, sipas tij, as që duhet të merret parasysh nga politikanët.
“Çështja e buxhetit është jetike për shtetin e Kosovës. Do të ishte absolutisht e papërgjegjshme nga politikanët tanë dhe nga partitë tona që të bënin të njëjtën lojë me vonesa të pafundme dhe ta rrezikonin edhe më tej funksionimin e institucioneve. Ky është një skenar që as që duhet të merret parasysh, nëse kanë qoftë edhe një pikë normaliteti”, tha ai për Radio Kosovën.
Kritik ndaj situatës është edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu, i cili thotë se problemet e vitit 2025 tashmë po bartën në vitin 2026, duke krijuar ndikime negative në disa drejtime. Ai paralajmëron se mungesa e buxhetit të miratuar dhe vakuumi institucional po e dobësojnë performancën e shtetit, ndërsa projektet kapitale të planifikuara për vitin 2026 kanë mbetur në pritje.
Sipas tij, kjo vonesë ka një kosto të drejtpërdrejtë, sidomos në kohë inflacioni. Gërxhaliu thekson se buxheti duhet të jetë prioritet absolut i klasës politike.
“Ajo që është më e rëndësishme është se buxheti duhet të jetë prioritet, sepse nuk jetohet vetëm me bartje buxhetore, me 1/12 e vitit paraprak. Politikanët kosovarë duhet të ngrihen mbi interesat për pushtet dhe sa më shpejt që të ndodhë kjo, aq më shpejt do të ketë kthim të shpresës se gjërat në Kosovë do të normalizohen. Përndryshe, nëse vazhdohet me këtë maratonë zgjedhjesh dhe na zë fundi i shkurtit pa miratimin e buxhetit, atëherë fillon kaosi financiar dhe do të jetë shumë e vështirë të dilet nga një situatë e tillë. Prandaj, është koha që këto sfida të evitohen dhe të zgjidhen, e jo të shërohen, sepse nëse nuk kemi institucione funksionale dhe kemi kalkulime për poste politike, përfshirë atë të presidentit apo presidentes, e nuk miratohet buxheti, Kosovën e pret një kolaps që do ta dëmtojë rëndë vendin si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë social”, tha Gërxhaliu.
Gërxhaliu shton se, pa institucione funksionale dhe me kalkulime për poste politike, vendi rrezikon një kolaps ekonomik dhe social që do ta dëmtonte rëndë Kosovën.