MKRS: Bekë Berisha nuk mund të jetë në krye të KB “Sigal Prishtinës”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka reaguar pasi deputeti i AAK-së, Bekë Berisha është emër drejtor i KB “Sigal Prishtinës”. “Duke marrë parasysh se z. Berisha është deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, MKRS rikujton detyrimin e të gjitha palëve të përcaktimeve të Ligjit Nr. 06/L-011 për…

Sport

15/01/2026 15:20

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka reaguar pasi deputeti i AAK-së, Bekë Berisha është emër drejtor i KB “Sigal Prishtinës”.

“Duke marrë parasysh se z. Berisha është deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, MKRS rikujton detyrimin e të gjitha palëve të përcaktimeve të Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit që parasheh që zyrtari i lartë, mund të jetë anëtar i organit drejtues të OJQ-ve nga fusha e sportit, por jo menaxher/ përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare (neni 13 i Ligjit Nr.06/L – 011) dhe bartës i funksionit drejtues (neni 14 i Ligjit Nr.06/L – 011 ), si dhe obligimin që çdo situatë e konfliktit të interesit të parandalohet e të zgjidhet brenda afatit prej 30 ditësh nga marrja e detyrës (neni 8 i Ligjit Nr.06/L – 011)”, ka thënë MKRS.

MKRS ka kërkuar që të gjitha palët që të kujdesën për zbatimin e ligjit, që Berisha pas betimit dhe marrjes së detyrës si deputet, të ndërmarrin masat e nevojshme brenda afateve ligjore për të shmangur çdo konflikt interesi, në përputhje me ligjin në fuqi.

MKRS ka thënë se do të përcjellë situatën dhe do të bashkëpunojë me institucionet relevante, përfshirë Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me qëllim të ruajtjes së integritetit në sport dhe respektimit të standardeve të qeverisjes së mirë.

“MKRS përmes kanaleve të komunikimit zyrtar, do të kërkojë nga Federata e Basketbollit që, duke u bazuar në ligjin për sport dhe aktet nënligjore që rregullojnë qartë parimet e organizimit dhe të funksionimit të federatave dhe organizatave sportive, të sigurojë se në rastin e zgjedhjes se organeve drejtuese te KB “Sigal Prishtina”, janë zbatuar ose do të zbatohen të gjitha detyrimet që ndërlidhen me papajtueshmërinë e implikimeve ndër të tjera politike në menaxhimin e organizatave sportive si dhe të ruajtjes e garantimit të integritetit ligjor sportiv sipas normave ligjore të aplikueshme në Republikën e Kosovës, si kushte e kritere të detyrueshme për lejimin e ushtrimit zyrtar të veprimtarisë së sportit të basketbollit apo mirëmbajtjes së këtyre parimeve e rregullave, për qëllimin e njëjtë”, thuhet mes tjerash në reagim. /Lajmi.net/