DhTIK e shqetësuar për situatën me energji elektrike: Po shkakton humbje serioze për qindra biznese në vend

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, është shprehur e shqetësuar thellë për situatën e rëndë të furnizimit me energji elektrike në vend. Si pasojë e kësaj, DhTIK ka thënë se po shkaktohen humbje serioze për qindra biznese në vend. “Përkundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike për 16.1% dhe daljes së detyruar në tregun…

Lajme

14/01/2026 14:32

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, është shprehur e shqetësuar thellë për situatën e rëndë të furnizimit me energji elektrike në vend.

Si pasojë e kësaj, DhTIK ka thënë se po shkaktohen humbje serioze për qindra biznese në vend.

“Përkundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike për 16.1% dhe daljes së detyruar në tregun e hapur të energjisë të rreth 1,300 bizneseve, gjendja e furnizimit është përkeqësuar ndjeshëm. Bizneset po paguajnë shumëfish për energji elektrike, ndërkohë, furnizimi nuk është as i sigurt dhe as i qëndrueshëm. Ndërprerjet e shpeshta dhe të paplanifikuara të energjisë kanë sjellë pasoja të rënda, përfshirë pamundësi të funksionimit normal të bizneseve, rritje të kostove të prodhimit, humbje të orëve të punës dhe dëme në pajisjet teknologjike dhe linjat e prodhimit”, thuhet në komunikatë të DhTIK. 

Sipas tyre, thirrjet e vazhdueshme që i kanë bëë, nuk ka ndikuar në ndërmarrjen e asnjë veprimi konkret nga institucionet përgjegjëse për të përmirësuar sigurinë e furnizimit me energji për bizneset.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u bën thirrje urgjente të gjithë akterëve të sektorit energjetik që të ndërmarrin masa emergjente për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë me energji elektrike për bizneset, si dhe të fillojnë procedurat për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga ndërprerjet. Po ashtu, DHTIK kërkon nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës që të veprojnë pa vonesë për të dalë nga kjo situatë, e cila rrezikon seriozisht stabilitetin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e bizneseve”, thuhet mes tjerash në reagim. /Lajmi.net/