KOSTT ngre alarmin: Nga devijimet e shkaktuara prej KESCO-s në rrjetin interkonektiv evropian, po rrezikohet marrëveshja e Kosovës me ENTSO

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) është duke e rrezikuar marrëveshjen e Kosovës me ENTSO, që është mekanizmi evropian përgjegjës për balancim të rrjetit elektroenergjetik në nivel evropian. Kështu thuhet në një njoftim publik të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT). Kosova është antarësuar në ENTSO në vitin 2020 dhe kjo shënon…

Lajme

14/01/2026 08:55

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) është duke e rrezikuar marrëveshjen e Kosovës me ENTSO, që është mekanizmi evropian përgjegjës për balancim të rrjetit elektroenergjetik në nivel evropian. Kështu thuhet në një njoftim publik të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

Kosova është antarësuar në ENTSO në vitin 2020 dhe kjo shënon hapin kryesor të shkëputjes së Kosovës nga Serbia në energjetikë. Me këtë anëtarësim KOSTT është bërë zotërues i linjave të transmisionit për Kosovën, e jo sic është njohur Kosova si zonë e Serbisë në energjetikë para vitit 2020.

Por kjo marrëveshje me ENTSO po rrezikohet seriozisht nga nominimet gabim të energjisë elektrike nga operatori KESCO, sipas njoftimit të KOSTT.

KESCO e nominon (parashikon) një ditë më herët në KOSTT energjinë bazuar në konsum. Nëse parashikimi është më i madh osë më i vogël se konsumi shkaktohen devijime në rrjet.
Për ditët 13 janar dhe 14 janar, nominimet nga KESCO ishin të gabuara deri në atë nivel, sa devijimet në orë të caktuara shkuan edhe mbi 200 MW. Kjo situatë e ekspozon Kosovën si vend problematik në raport me mekanizmat ndërkombëtar të energjisë.

Në njoftim, KOSTT alarmon se, si rezultat i nominimeve të pamjaftueshme të energjisë elektrike nga KESCO për mbulimin e nevojave të konsumit, sot (13 janar 2026) dhe nesër (14 janar 2026), Zona e Kontrollit e KOSTT-it është duke operuar me jo balanca të mëdha dhe të vazhdueshme, të cilat në orë të caktuara tejkalojnë mbi 200 MW.

Sipas KOSTT, “këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikim të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E”, raporton Buletini Ekonomik.

“Në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit, KOSTT është i detyruar të aplikojë kufizimin e ngarkesës (reduktime), sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative”, thuhet në njoftimin e KOSTT.

Me përmirësimin e situatës dhe stabilizimin e balancimit, KOSTT njofton se do të ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme për stabilizim të sistemit.

KOSTT, në përputhje me rolin e tij si operator i sistemit dhe i tregut, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilizimin e sistemit, përfshirë aktivizimin e shërbimeve ndihmëse të balancimit si dhe organizimin e ankandeve brendaditore për balancimin e sistemit. “Megjithatë, për shkak të diferencës jashtëzakonisht të madhe ndërmjet nominimeve dhe konsumit real, masat e ndërmarra nuk kanë qenë të mjaftueshme për të eliminuar jo balancat në nivelin e krijuar”.