KQZ vendos: 10 komuna do të shkojnë në rinumërim të plotë të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar procesi zgjedhor i mbajtur më 28 dhjetor, me theks të veçantë çështjen e rinumërimit të votave. Gjatë mbledhjes, disa anëtarë kanë propozuar që të bëhet rinumërim i plotë i votave, ndërsa të tjerë kanë qenë për rinumërim të pjesshëm. Lidhur…

Lajme

13/01/2026 15:56

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar procesi zgjedhor i mbajtur më 28 dhjetor, me theks të veçantë çështjen e rinumërimit të votave.

Gjatë mbledhjes, disa anëtarë kanë propozuar që të bëhet rinumërim i plotë i votave, ndërsa të tjerë kanë qenë për rinumërim të pjesshëm. Lidhur me këtë çështje, anëtari i KQZ-së nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka deklaruar se propozimi është diskutuar paraprakisht edhe në Këshillin për Operacione Zgjedhore.

“Në këtë takim është propozuar nga disa anëtarë që të bëhet rinumërim i plotë e nga disa të tjerë rinumërim i pjesshëm. Para se të vijmë në këtë takim, anëtarët e Këshillit për Operacione Zgjedhore kanë pasur një diskutim. Arsyeja e këtij propozimi është se ndryshimet dhe gabimet kanë qenë më të mëdha, prandaj kemi vendosur që në këto 10 komuna të bëhet rinumërim i plotë 100%. Fakti që komunat tjera shkojnë në 10 për qind rinumërim të votave nuk e përjashton mundësinë që edhe këto komuna, nëse vërehen mospërputhje, të shkojnë në rinumërim më të plotë”, ka deklaruar Nitaj.

Sipas tij, vendimi synon të garantojë transparencë dhe besueshmëri më të madhe të procesit zgjedhor, duke adresuar çdo parregullsi të mundshme që është evidentuar gjatë numërimit fillestar të votave.

Derisa gjatë votimit për propozimin e rinumërimit të votave, nëntë kanë votuar për dhe dy anëtarë kanë abstenuar. /Lajmi.net/