Çitaku reagon për “like”-un e konsullit: Mentalitet qeverisës kundër figurave shtetformuese

Vlora Çitaku ka reaguar lidhur me një situatë të krijuar pas një “like”-u në Facebook nga konsulli Gëzim Gashi, i cili kishte miratuar një shkrim me përmbajtje fyese ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi. Ajo tha se ky veprim nuk duhet parë si i paqëllimshëm, duke theksuar se rasti tregon një qasje problematike të qeverisë ndaj figurave…

Lajme

12/01/2026 18:16

Vlora Çitaku ka reaguar lidhur me një situatë të krijuar pas një “like”-u në Facebook nga konsulli Gëzim Gashi, i cili kishte miratuar një shkrim me përmbajtje fyese ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi. Ajo tha se ky veprim nuk duhet parë si i paqëllimshëm, duke theksuar se rasti tregon një qasje problematike të qeverisë ndaj figurave shtetformuese, ndërsa kërkoi largimin e tij nga shërbimi diplomatik.

Nënkryetarja e PDK-së theksoi se veprimi i konsullit “nuk është rastësi dhe as qëndrim individual”, por sipas saj “pasqyron një mentalitet politik të instaluar në qeverisje”.

“Pëlqimi publik i një shkrimi denigrues dhe akuzues ndaj Presidentit Hashim Thaçi nga një përfaqësues diplomatik i Republikës së Kosovës nuk është rastësi dhe as qëndrim individual. Ai pasqyron një mentalitet politik të instaluar në qeverisje, ku sulmi ndaj figurave të historisë shtetformuese është kthyer në mjet politik,” u shpreh Çitaku.

Ajo i cilësoi këto veprime si dëmtim të drejtpërdrejtë të imazhit dhe interesit shtetëror.

“Kur përfaqësues zyrtarë të shtetit përdorin ose mbështesin gjuhë përçarëse ndaj Presidentit që ka shpallur Pavarësinë e Kosovës, kjo nuk është kritikë politike, por dëm i drejtpërdrejtë i imazhit dhe interesit shtetëror. Aq më tepër kur kjo ndodh në një kohë kur ai prej vitesh përballet me drejtësinë në Hagë për Kosovën, jo për veten,” shtoi ajo.

Në përfundim, Çitaku kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të konsullit, duke theksuar se Kosova meriton përfaqësim dinjitoz, profesional dhe unifikues në ambasadat dhe konsullatat e saj, kudo në botë. /Lajmi.net/