​Shqyrtohet ankesa e Millosh Pleskoviqit, Prokuroria e Apelit propozon refuzimin e saj

Dënim i përjetshëm është kërkuar edhe sot për Millosh Pleskoviqin, i akuzuar për krime lufte në zonën e Prizrenit. Në seancën e sotme të Gjykatës së Apelit, është shqyrtuar ankesa e avokates së të akuzuarit ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku akuzohet për krime lufte në zonën e Prizrenit. Kjo seancë është kryesuar…

Lajme

12/01/2026 13:17

Dënim i përjetshëm është kërkuar edhe sot për Millosh Pleskoviqin, i akuzuar për krime lufte në zonën e Prizrenit. Në seancën e sotme të Gjykatës së Apelit, është shqyrtuar ankesa e avokates së të akuzuarit ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku akuzohet për krime lufte në zonën e Prizrenit.

Kjo seancë është kryesuar nga gjyqtari Mentor Bajraktari, ndërkaq ka munguar prokurori i Apelit.

Gjyqtarja Albina Shabani Rama gjatë paraqitjes së pretendimeve të avokates së të akuzuarit, Jovana Filipoviq, ka thënë se Prokuroria e Apelit ka propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e saj.

“Prokurori i çështjes ka parashtruar përgjigje në ankesën të cilën e ka dorëzuar mbrojtje, i cili i kundërshton të gjitha pretendimet e mbrojtjes dhe i propozon Gjykatës së Apelit që ankesa e mbrojtësit të pandehurit, Millosh Pleskoviq, avokates Jovana Filipoviq të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi me numër 54 2024 të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë të vërtetohet. Po ashtu, edhe Prokuroria e Apelit ka propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtëses së të akuzuarit Millosh Pleskoviq dhe të trajtohet si e bazuar përgjigja në ankesë e mbrojtësit të akuzuarit, Millosh Pleskoviq”, tha ajo.

Gjatë seancës së sotme të Gjykatës së Apelit, nëna e dy djemve binjakë të vrarë në Prizren, Mihrije Daçaj kërkoi burgim të përjetshëm për Millosh Pleskoviqin.

“Mi kanë mbytur, çfarë të bëjë, në mal kanë qenë, kanë shkuar për dru… Ne kërkojmë dënim për jetë”, ka thënë shkurt Mihrije Daçaj.

Dënim kapital kërkoi edhe avokati mbrojtës, Blend Gjini, i cili tutje theksoi se ankesa e avokates është e pabazë.

“Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me viktima civilë shqiptarë, të zonjës Mihrije këtu ja kanë djegur shpirtin sepse dy djemtë të rinj binjakë, kanë humbur jetën dhe janë ekzekutuar në mënyrë barbare, pasi që edhe vuajtjet dhe përjetimet janë riprodhuar në seancë, ne konsiderojmë se dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë është i vogël, pasi qe ligji… Ne kërkojmë nga Gjykata e Departamentit Special të Apelit qe duke i marrë parasysh këto rrethana dhe fakte, të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim kapital…. Andaj për fund, i propozojë kolegjit të Departamentit Special për Krime lufte që të refuzohet ankesa e avokates, pasi që një ankesë e tillë është e pabazë dhe nuk korrespondon me provat e shtjelluara”, tha ai.

Avokatja e të akuzuarit, Jovana Filipoviq ka pretenduar se ky krim nuk është kryer nga i akuzuari Millosh Pleskoviq.

“Milloshi atëherë i ka pasur 19 vjet, në momentin kur ka ndodhur kjo ka qenë në mbajtje të dënimit, nuk ka qenë as zyrtar i policisë. Ai ka ardhur dhe e ka vizituar Prizrenin deri tash dhe ka publikuar fotografi në facebook-un e tij, dhe kanë komentuar shumë shqiptarë nga Prizreni, deri në moment askush nuk ka folur për të”, ka thënë ajo.

Aty nuk munguan as pwrplasjet. Në këtë rast dhe fjalës së avokates Jovana Filipoviq, kanë reaguar familjarët e viktimave.

Pas përplasjes së tyre, ka reaguar gjyqtari Mentor Bajraktari.

Ky i fundit ka thënë se vendimi do të merret përmes “shkallës së parë në një afat të arsyeshëm”.

Millosh Pleskoviq është dënuar me 15 vjet burgim, më 31 korrik 2025, i njëjti akuzohet për vrasjen e tre civilëve shqiptarë dhe plagosjen e disa të tjerëve gjatë luftës në Kosovë.