AME: Situata me vërshime në Kosovë e menaxhueshme, disa zona me vështirësi

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) raporton se situata e vërshimeve në Kosovë është nën kontroll, megjithatë disa rajone po përballen me vështirësi të theksuara për shkak të reshjeve të shiut dhe borës. Sipas informatave nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe strukturat lokale të reagimit, ndërhyrjet po vijojnë në të gjithë vendin për të siguruar stabilitet…

Lajme

10/01/2026 20:27

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) raporton se situata e vërshimeve në Kosovë është nën kontroll, megjithatë disa rajone po përballen me vështirësi të theksuara për shkak të reshjeve të shiut dhe borës.

Sipas informatave nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe strukturat lokale të reagimit, ndërhyrjet po vijojnë në të gjithë vendin për të siguruar stabilitet dhe për të parandaluar dëmet më të mëdha, transmeton lajmi.net.

Në rajonin e Prishtinës janë regjistruar vërshime të lokalizuara në Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Obiliq, Drenas, Shtime dhe Graçanicë, kryesisht për shkak të bllokimeve të kanalizimeve. Në disa raste uji ka depërtuar në oborre, bodrume dhe shtëpi banimi, pa pasur nevojë për evakuime. Në Prizren, disa rrugë dhe ura janë të vërshuara, ndërsa shembje dheu kanë kërkuar ndërhyrje teknike në Suharekë, Malishevë, Rahovec dhe Dragash. Disa segmente rrugësh kryesore janë të pakalueshme përkohësisht, por monitorimi dhe ndërhyrjet vazhdojnë.

Në Mitrovicë situata është e qetë, pa rrezik të drejtpërdrejtë, ndërkohë që angazhimet për largim të ujit janë të fokusuar në QKMF Mitrovicë, me vizitë në terren nga udhëheqja e AME-së dhe autoritetet komunale. Në Pejë po kryhen ndërhyrje për bllokimin e kanalizimeve dhe disa segmente të rrugës Pejë–Rugovë kanë ujë, duke kërkuar kujdes të shtuar në qarkullim. Në Gjakovë situata mbetet stabile, me një bllokim rruge si pasojë e shembjes së dheut. Në Gjilan janë regjistruar vërshime të lokalizuara, depërtime uji në bodrume dhe rrëshqitje dheu, me ngritje të nivelit të lumenjve, por pa dalje nga shtrati.

KEK dhe KOSTT kanë siguruar pompa thithëse me kapacitet të madh për të përballuar situatën. Të gjitha kërkesat për ndihmë po koordinohen 24/7 nga AME dhe institucionet lokale dhe infrastruktura kritike në të gjithë vendin. Agjencia e Menaxhimit Emergjent mbetet në gatishmëri të plotë dhe monitoron vazhdimisht situatën për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Qytetarët ftohen të raportojnë çdo rrezik përmes numrave emergjent 112, 193 dhe 192./lajmi.net/