Tragjedi në Maqedoni: Ndërron jetë 2-vjeçari që u godit me plumb qorr natën e Vitit të Ri

Ka ndërruar jetë fëmija që natën e vitit të ri u godit me plumb qorr në kokë, në zonën e Gazibabës në Maqedoni të Veriut. Pavarësisht tentimeve dhe trajtimeve që iu dhanë në Neurokirurgji, fundi ishte fatal. Fëmija qëndroi për 24 orë nën mbikëqyrjen e mjekëve por siç njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë, shkalla e…

Lajme

02/01/2026 20:22

Ka ndërruar jetë fëmija që natën e vitit të ri u godit me plumb qorr në kokë, në zonën e Gazibabës në Maqedoni të Veriut. Pavarësisht tentimeve dhe trajtimeve që iu dhanë në Neurokirurgji, fundi ishte fatal.

Fëmija qëndroi për 24 orë nën mbikëqyrjen e mjekëve por siç njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë, shkalla e dëmtimit në tru, nuk lejoi ndërhyrje kirurgjikale.

“Fëmija u pranua në Qendrën e Urgjencës dhe, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, u transferua për trajtim në Klinikën e Neurokirurgjisë, në repartin e kujdesit intensiv. Ai u intubua, u vendos në ventilim mekanik, iu administrua terapi antibiotike dhe antiedematoze, si dhe ishte nën monitorim të vazhdueshëm 24-orësh. Shkalla e dëmtimit të indit trunor nuk lejoi ndërhyrje kirurgjikale. Pavarësisht përpjekjeve maksimale të ekipit mjekësor, përfundimi ishte tragjik”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Gjithçka ndodhi kur gjatë ndërrimit të motmoteve, fëmija bashkë me nënën e vet, para shtëpisë së tyre ishin duke shikuar spektaklin e krijuar nga hedhja e fishekzjarrëve, e kur papritmas nga koka e fëmijës fillon të rrjedhë gjak. I njëjti ishte goditur nga një plumb qorr. Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se ngjarja ka ndodhur në zonën e Gazibabës, shkruan Alsat.mk.

“Zyrtarët policorë kanë dalë në teren dhe kanë realizuar bisedë me nënën me iniciale G.D e cila ka sqaruar se më 31.12.2025 para mesnate, ka dalë para oborrit të shtëpisë në zonën e Gazibabës bashkë me fëmijën dhe duke shikuar fishekzjarrët, ka dëgjuar një zë dhe ka vërejtur rrjedhje të gjakut nga koka e fëmijës. Në stacion policor është realizuar bisedë informative edhe me babanë e fëmijës M.A”, deklaroi Goce Andreevski – Zëdhënës i MPB-së.

Deri tani as nga Ministria e Punëve të Brendshme e as nga Ministria e Shëndetësisë nuk zbulojnë identitetin e fëmijës. Nga Prokuroria Publike kanë dhënë urdhër që trupi i fëmijës të dorëzohet për autopsi ndërsa po ndërmarrin masa për zbardhjen e plotë të rastit.