Abdixhiku pas humbjes së zgjedhjeve: Rezultati ishte i dhimbshëm, por verdikti i qytetarëve respektohet
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rezultateve zgjedhore përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke pranuar se ky vit po mbyllet ndryshe nga pritjet dhe synimet e tij dhe të partisë që drejton. Abdixhiku ka thënë se rezultati i zgjedhjeve ishte i dhimbshëm për shumë mbështetës të LDK-së,…
Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rezultateve zgjedhore përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke pranuar se ky vit po mbyllet ndryshe nga pritjet dhe synimet e tij dhe të partisë që drejton.
Abdixhiku ka thënë se rezultati i zgjedhjeve ishte i dhimbshëm për shumë mbështetës të LDK-së, por ka theksuar se verdikti i qytetarëve duhet pranuar dhe respektuar.
“Rezultati i zgjedhjeve nuk ishte ai që synova e synuam. Ishte i dhimbshëm për shumë prej nesh, por është verdikti i qytetarëve tanë dhe para këtij vendimi përulemi me respekt”, ka shkruar ai.
Kreu i LDK-së ka falënderuar të gjithë aktivistët, mbështetësit dhe strukturat e partisë për angazhimin dhe sakrificat e bëra gjatë fushatës, duke pranuar gjithashtu se zhgënjimi është i pranishëm, por se besimi në Kosovë dhe demokraci nuk duhet të humbasë.
Ai ka theksuar se ky vit është edhe një periudhë reflektimi personal, duke shtuar se ka bërë maksimumin me ndershmëri dhe përkushtim, por se jo gjithmonë përpjekjet mjaftojnë për rezultatin e dëshiruar.
“Përpara nesh është një kohë reflektimi, vendimmarrjeje dhe përgjegjësie. Me kohë dhe në vendin e duhur do t’i shpalosi të gjitha”, ka theksuar Abdixhiku, duke shtuar se do të vazhdojë të jetë në shërbim të vendit, pavarësisht zhvillimeve të ardhshme politike.
Në fund të mesazhit, Abdixhiku ka ndarë edhe një moment personal, duke theksuar se fundviti është kohë për t’iu kthyer familjes, veçanërisht dy vajzave të tij, të cilave u ka borxh më shumë kohë dhe përkushtim.
Ai ka uruar qytetarët për Vitin e Ri 2026, duke shprehur dëshirën për një vit më të drejtë, më njerëzor dhe më të qetë për Kosovën, si dhe ka përfunduar mesazhin me urimin: “Zoti e bekoftë atdheun tonë”. /Lajmi.net/