KESCO garanton furnizim me energji gjatë festave, apelon për kursim në orët e pikut
Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka njoftuar se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizim të rregullt me energji elektrike për konsumatorët edhe gjatë festave të fundvitit dhe natës së ndërrimit të motmoteve. Në njoftimin për opinionin publik, KESCO bën të ditur se, duke pasur parasysh rritjen e konsumit…
Lajme
Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka njoftuar se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizim të rregullt me energji elektrike për konsumatorët edhe gjatë festave të fundvitit dhe natës së ndërrimit të motmoteve.
Në njoftimin për opinionin publik, KESCO bën të ditur se, duke pasur parasysh rritjen e konsumit në këtë periudhë, është në koordinim të vazhdueshëm me operatorët teknikë, përkatësisht me operatorin e distribucionit dhe atë të transmisionit, me qëllim të menaxhimit në kohë të çdo situate të mundshme dhe adresimit të mbingarkesave eventuale në rrjet, veçanërisht gjatë orëve të pikut, transmeton lajmi.net.
Po ashtu, për të qenë pranë konsumatorëve edhe gjatë natës së ndërrimit të vitit, KESCO ka rritur kapacitetet e Qendrës së Thirrjeve, duke angazhuar staf shtesë për të ofruar informim dhe përgjigje të shpejta lidhur me furnizimin me energji elektrike.
KESCO u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të kursejnë energjinë elektrike aty ku është e mundur, sidomos gjatë orëve të pikut, duke theksuar se shfrytëzimi racional i energjisë kontribuon në stabilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe në furnizim të sigurt për të gjithë konsumatorët.
Në fund, kompania ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke i uruar festa të gëzuara dhe një Vit të Ri 2026 të mbarë, me shëndet dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët.